Lidhje

Departamenti i Shtetit dënon ashpër  UÇK-në - 2001-06-06


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Departamenti të Shtetit, Philip Reeker, e dënoi me forcë sulmin e UÇK-së kundër forcave maqedonase gjatë të cilit 5 ushtarë maqedonas humbën jetën. Zëdhënësi amerikan tha se ky është një sulm i ulët. “Ne e dënojmë me forcë këtë dhunë ekstremistësh dhe dua të theksoj se dhuna nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me zgjidhjen e gjendjes në Maqedoni. Ky ishte një sulm i dënueshëm i ekstremistëve shqiptarë dhe ne e dënojmë atë me forcë” tha zoti Reeker.

Megjithatë zyrtari i Departamentit të Shtetit i bëri thirrje politikanëve maqedonas të intensifikojnë dialogun ndër-etnik. Ekstremistë shqiptarë, tha ai, po përpiqen ta pengojnë procesin politik prandaj tnai është koha që qeveria, përfaqësuesit legjitimë ta përshpejtojnë procesin dhe ta zgjidhin krizën me mjete politike. “Kjo ngjarje tregon se edhe në momentet më të vështira duhet të vazhdojë dialogu ndër-etnik dhe ankesat të zgjidhen përmes proceseve ligjore” tha zoti Reeker.

Zëdhënësi amerikan theksoi se qëndrimi i qeverisë amerikane nuk ka ndryshuar lidhur me përfshirjen e UÇK-së në bisedime. Para disa ditësh një ish diplomat amerikan, ambasadori William Walker propozoi hapjen e bisedimeve me UÇK-në si zgjidhja e vetme për kapërcimin e krizës. Zëdhënësi Reeker, theksoi se këto janë mendime personale të ambasadorit walker dhe nuk shprehin pikëpamjet e qeverisë amerikane. “Zoti Walker shpreh mendimet e tij. Ai nuk punon më për qeverinë amerikane. Ai nuk flet në emër të departamentit të shtetit. Qëndrimi ynë është i qartë se vetëm përfaqësuesit politikë legjitimë në Maqedoni duhet të punojnë për zgjidhjen e krizës”. Zëdhënësi Reeker i bëri thirrje Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të lëshojnë armët pasi rruga e dhunës nuk është rruga e zgjidhjes së problemeve.

XS
SM
MD
LG