Lidhje

Mendimet e studiuesve për Maqedoninë - 2001-06-07


Gjatë një konference mbi Ballkanin para një jave, studiuesja britanike Jane Sharp tha se në se dhuna arrin në kryeqytetin Shkup, atëherë konflikti maqedonas ashtu si konflikti i mëparshëm boshnjak, mund të shndërohet në luftë civile. Dje (6 qershor), persona të armatosur hapën zjarr ndaj zyrës së presidentit Trajkovski në Shkup.

Ekspertë të tjerë thanë se është e domosdoshme që qeveria maqedonase të veprojë shpejt për t’u dhënë të drejta të barabarta pakicës shqiptare që përbën deri në 30 përqind të popullsisë së vendit. Profesoresha Julie Mertus pranë institutit të paqes fajëson komunitetin ndërkombëtar për mos ndërhyrje në kohë për të nxitur barazinë etnike në Maqedoni. “Para dy vjetësh, unë isha pak e shqetësuar sepse një vemendje e madhe i kushtohej demokratizimit të Maqedonisë. Por Maqedonia doli si një demokraci e kufizuar, sepse ishte një demokraci përsa i përket votimeve, partive politike dhe më shumë liri fjale, por jo demokraci përsa u përket të drejtave të plota të njeriut. Gjithashtu atje ekzistonin shumë probleme të tjera lidhur me politikën në ushtri e polici. Mendoj se për të gjitha këto ne tani po paguajmë çmimin” thotë ekspertja.

Zonja Mertus i bëri këto komente dje në qëndrën Widrow Willson në Washington. Konferenca u organizua nga qëndra për studime strategjike dhe ndërkombëtare. Por disa studiues të tjerë ua hodhën fajin luftëtarëve shqiptarë, duke i akuzuar ata se po kërkojnë polarizim dhe luftë civile. Jim O’Brian deri kohët e fundit ishte i dërguari i presidentit amerikan për Ballkanin.

“Pjesë e problemit është në Kosovë, ku një grup shumë i vogël njerëzish qëndrojnë pas problemeve në Serbinë Jugorë, Kosovë e Maqedoni. Mendoj se është me rëndësi që kryeadministratori i Kosovës Hans Haekerup dhe KFOR-i të marrin të gjitha masat e ashpra që munden për të ndaluar këta njerëz që po nxisin dhunën” tha zoti O’Brian.

Guerriljet shqiptare veprojnë në malet që ndajnë Maqedoninë nga Kosova. Profesoresha Mertus, e cili ka studiuar efektet e ndërhyrjes humanitare në Kosovë dhe Bosnje, thotë se një zgjidhje afatgjatë e çështjes mund të arrihet me ndryshimin e kufijve kombëtare në mënyrë që ato të përputhen më mirë me përbërjen etnike të banorëve. Janë bërë propozime që Maqedonia perëndimore e populluar nga shqiptarë të bashkohet me Shqipërinë ose Kosovën fqinje thotë analistja Mertus, dhe kjo ide është hedhur poshte me rreptësi nga qeveritë perëndimore.

“Është shumë ironike që nga ana e komunitetit ndërkombëtar vihet re një mosdëshirë për të trajtuar çështjen e ripërcaktimit të kufijve. Arsyeja është se ata kanë frikë se një gjë e tillë do të përbënte shkelje të sovranitetit të shtetit. Por kjo është pikërisht çështja me të cilën ne kemi të bëjmë. Kur u ndërmor fushata ajrore në Kosovë dhe atje u dërguan trupat e KFOR-it, çështja e sovranitetit nuk u bë pengesë, ndërsa kur vjen puna për ripërcaktimin e kufijve, çështja e sovranitetit nxirret si pengesë” tha ekspertja.

Tani për tani, qeveria e Maqedonisë po vepron në dy rrugë; paqësore dhe ushtarake. Qeveria, me përkrahje ndërkombëtare në rritje, po zhvillon një fushatë këmbëngulëse kundër kryengritësve. Nga ana tjetër, ajo po hedh hapa për trajtimin e ankesave të pakicës shqiptare, partitë kryesore të së cilës janë anëtare të qeverisë së re të bashkimit kombëtar.

XS
SM
MD
LG