Lidhje

Britani: dallimet e dy kandidatëve për kryeministër - 2001-06-07


Sot britanikët votojnë për parlamentin dhe kryeministrin e ri të vendit. Kryeministri laburist Tony Blair dhe udhëheqësi i Partisë Konservatore William Hague i kanë shkallëzuar fushatat e tyre, por nuk duket se ndonjëri prej tyre gëzon ndonjë epërsi të ndjeshme lidhur me çështjet parësore.

Udhëheqësi i Partisë Konservatore William Hague kundërshton me forcë futjen e Britanisë në grupin e vendeve që përdorin monedhën e njëjtësuar evropiane dhe është përpjekur t’i shndërrojë zgjedhjet e ardhshme në një referendum për të shpëtuar stërlinën britanike. “Nëse zgjidhet një qeveri konservatore, do ta mbajmë stërlinën. Nëse zgjidhet një qeveri laburiste, ata do ta heqin qafe stërlinën” tha zoti Hague.

Nga ana e tij, kreyministri Blari është përpjekur ta mënjanojë këtë çështje, ose ta komentojë atë në frymën patriotike, duke këmbëngulur se Britania duhet të jetë një pjesë përbërëse e Evropës për t’i shërbyer të ardhmes: “Unë do të luftoj për interesat e Britanisë në Evropë. Unë do të përpiqem për të drejtën që i takon Britanisë si anëtare në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të mos i rikthehemi përsëri qëndrimit të distancuar që mbanim katër vjet më parë”.

Si për ironi, në vitin 1983 ishte Partia Laburiste ajo që e kundërshtonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Siç shpjegon historiani Piers Ludlow, qëndrimet e partive ndaj çështjes së Evropës kanë ndryshuar: “Këto janë pa dyshim zgjedhjet më të polarizuara që nga fillimi i viteve 1980, dhe qëndrimet kanë ndryshuar plotësisht. Tani Partia Konservatore po e kundërshton këtë proces, ndërsa Partia Laburiste po e përkrah atë”.

Por zoti Ludlow pohon se pjesa më e madhe e votuesve nuk duan t’ia dinë aq shumë për Evropën, por për çështje të cilat ndikojnë më drejtpërdrejtë në çështjet e brendshme, si gjendja e arsimit, shërbimit shëndetsor dhe ekonomia.

Në këto rrethana, ngrihet pyetja: përse udhëheqësi i Partisë Konservatore po i kushton kaq rëndësi kësaj çështjeje? Analisti politik Alan Beatie thotë se veprimet e zotit Hague nuk janë të drejtuara aq shumë ndaj publikut sesa ndaj disa qarqeve të fuqishme brenda partisë së tij, të cilët nuk e shohin me sy të mirë integrimin në Evropë. “Retorika është drejtuar ndaj disa anëtarëve të partisë konservatore, të cilët nuk përfaqësojnë elektoratin në përgjithësi” tha zoti Beatie.

Zoti Hague është detyruar të theksojë qëndrimin anti-evropian në mënyrë që të distancohet gjithashtu nga qëndrimi i kryeministrit Blair, meqë politikat më centriste të Partisë Laburiste kanë tërhequr bazën tradicionale mbështetëse të konservatorëve.

Piers Ludlow i Shkollës Ekonomike të Londrës thotë se ndikimi i zgjedhjeve në marrëdhëniet e Britanisë me Evropën do të jetë shumë i madh: “Sipas pikëpamjeve konservatore, Britania duhet të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian, por vetë veprimtaria në kuadër të Bashkimit duhet të jetë shumë e kufizuar. Ndërkaq, Partia Laburiste përkrah idenë se roli i Britanisë në botë do të forcohej në se ky vend bëhej një udhëheqës i fuqishëm dhe pozitiv në Bashkimin Evropian. Të dyja këto parti po përpiqen të parashikojnë ndikimin që ky angazhim do të ketë në interesat kombëtare të Britanisë, por kanë nxjerrë përfundime krejt të kundërta”.

Nëse Partia Laburiste fiton një mandant të dytë, kryeministri Tony Blair ka premtuar se do ta përfshijë Britaninë në zonën e monedhës së njëjtësuar evropiane. Analistët parashikojnë gjithashtu që Tony Blair ta udhëheqë Britaninë drejt një roli më aktiv udhëheqës në çështjet evropiane dhe botërore.

XS
SM
MD
LG