Lidhje

Raport i BE për asocimin e Shqipërisë - 2001-06-07


Ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Michel Peretti bëri sot publik në Tiranë vendimin e këtij komisioni për hapjen e dialogut me Shqipërinë për marrëveshjen e asocimit. Ambasadori shpjegoi se detyrimet të cilat nuk janë përmbushur ende nga Shqipëria, mund të plotësohen gjatë periudhës së negociatave. Pas perpjekjeve të shumta dhe një rruge të gjatë Shqiperia arriti me së fundi të shkëpusë një përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian për të hapur me të dialogun për marrëveshjen e asocimit.

Grupi i nivelit të lartë të ekspertëve europian që punoi gjatë gjithë gjashtë mujorit të parë të këtij viti me autoritetet vendase, ka hapur më së fundi dritën jeshile. Shqipërisë i njihen progreset e bëra, por në të njëjtën kohë i kërkohet të bëjë përmirësime në disa fusha ku ajo nuk i përmbush detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja. Si problemet më kryesore të veçuara nga Komisioni Europian janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, ekzistenca e trafikut të njerëzve, masa e madhe e ekonomisë informale, administrata shumë e dobët dhe sistemi gjyqësor.

Raporti i komisionit i paraqitur dje në Bruksel, u bë sot publik në Tiranë nga ambasadori i delegacionit të këtij komisioni Michel Peretti: “Komisioni vendosi t’i rekomandojë Këshillit që të fillojë negociatat për marrëveshje stabilizimi dhe asocimi me Shqipërinë, duke mbajtur parasysh se në raste se Shqiperia – tha ambasadori Peretti nuk është ende e përgatitur për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga një marrëveshje e tillë mund të kryhen përparime të konsiderueshme gjatë periudhës së negociatava dhe periudhës tranzitore, me kusht që të ruhet ritmi i reformave dhe t’i kushtohet vëmendja e duhur forcimit të kapaciteteve të administratës së saj.

Një lajm të gëzuar e konsideroi këtë vendim edhe opozita shqiptare. Besnik Mustafaj, drejtor për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike tha se kjo parti ishte e para që ka dëshiruar integrimin e vendit në Europë. Për opozitën duket se analiza e bërë në raportin e Komisionit Evropian përbën edhe gëzimin e dytë. Zoti Mustafaj tha se problemet që ngrihen në raport për korrupsionin, trafiqet, apo nivelin e ulët të administratës janë problemet të cilat ka kritikuar vazhdimisht opozita.

Janë të shumtë ata që mendojnë se ky vendim i marrë për Shqipërinë do të shfrytëzohet nga socialistët si një armë elektorale në garën për zgjedhjet e përgjithshme të 24 qershorit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE do te merret javën e ardhshme në Goteborg dhe pas kësaj faze nisin procedurat e tjera dhe përcaktohet kalendari i dialogut. Shqipëria shpresonte ta bënte këtë hap që në 1998. Pas luftës së Kosovës asaj iu dhanë shumë premtime se do të shpërblehej për përballimin e krizës. Por shpërblimin e mori Maqedonia. Ndërsa vitin e kaluar ajo mbeti jashtë edhe nga samiti i Zagrebit, ku hapja e dialogut u bë vetëm me Kroacinë. Tani pas Shqipërisë, Jugosllavia dhe Bosnja mbeten vendet e fundit në proçesin e integrimit evropian të rajonit të Ballkanit.

XS
SM
MD
LG