Lidhje

Në  orën 24:00 UÇK shpall armëpushim - 2001-06-07


Burime shqiptare njoftojnë se forcat qeveritare maqedonase kanë granatuar të enjten fshatrat verior të vendit. Ndërkaq njoftimet zyrtare bëjnë të ditur për shkëmbime sporadike të zjarrit në këtë zonë. Shpërthime janë dëgjuar vonë pasdite edhe në Malësinë e Sharrit mbi Tetovë. Sipas zëdhënësit të ministrisë maqedonase të mbrojtjes, luftëtarët shqiptar të cilët qeveria e Shkupit i quajnë terrorist janë përpjekur të bëjnë rigrupimet në fshatrat Mateç dhe Sllupçan të Kumanovës dhe në fshatrat Veshallë, Brodec dhe Lisec.

Ndërkaq UÇK ka bërë të ditur se të enjten në ora 24:00 do të shpallë armëpushim, përkatësisht do të përmbahet nga veprimet luftarake por në se luftëtarët e saj sulmohen, ata do të vetmbrohen. Ushtria maqedonase ka thënë zëdhënësi Trendafillov vepron vetëm ndaj caqeve legjitime që nënkupton pozicionet e UÇK-së. Ushtria maqedonase tha zëdhënësi i respekton konventat ndërkombëtare.

Sekretari i komunës së Likovës, Nexhati Osmani i cili ndodhet në fshatin Likovë i tha Zërit të Amerikës se asnjë organizatë humanitare deri tani nuk ka mund të hyjë në fshat dhe se gjendja humanitare atje është katastrofike. Ndërkaq ekziston frika nga shtrirja e konfliktit edhe në zona të tjera. Mbi 60 banorë të vendbanimeve Haraçinë, Majancë dhe Orllancë shumë afër Shkupit janë larguar në drejtim të Kosovës, thonë njoftimet zyrtare.

Nesër (8 qershor) në Shkup shkon përfaqësuesi i lartë i BE për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, Havier Solana. Me zotin Solana arrin edhe zëvendës ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Swigert. Ata do të takohen me autoritetet maqedonase dhe drejtuesit e partive politike për të gjetur një zgjidhje të krizës. Këmbënguljet e kryeministrit maqedonas, Lubço Georgevski për shpalljen e gjendjes së luftës në vend kundërshtohen nga faktorët ndërkombëtar dhe shumica e partive politike në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG