Lidhje

Kosovë: zbulimi i varreve masive - 2001-06-08


Disa trupa u zhvarrosën kohët e fundit nga një varr masiv në Serbi. Mendohet që fillimisht trupat të kenë qenë fshehur në një rimorkio frigorifer të hedhur në lumin Danub. Radioja B-92 njoftonte se kishte shenja torture në 86 trupat e gjetur në varr, ndërmjet të cilëve ishin edhe tri kokë pa trupa. Sipas njoftimit të radios trupat ishin të grave, fëmijëve dhe burrave të moshuar.

Me sa duket trupat kanë qenë fshehur në një përpjekje për të mbuluar krimet e luftës në Kosovë. Lajmet citojnë hetues serbë të kenë thënë se ish-presidenti jugosllav, Sllobodan Milloshevic, i kishte dhënë udhëzime ministrit të tij të policisë, Vlajko Stojiljkovic, të fshihte provat lidhur me viktimat civile në radhët e shqiptarëve të Kosovës.

Kjo ishte, me sa duket, vetëm një nga përpjekjet e shumta të regjimit të Millosheviçit për të mbuluar mizoritë e kryera në Kosovë. Sipas zëvëndës-prokurorit të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e Luftës, Graham Blewit, janë duke vazhduar hetimet lidhur me djegien e trupave në Kosovë, para dhe gjatë bombardimeve ajrore të Natos, të vitit 1999.

Zhvarrosja e kufomave nga varri i fundit masiv, mund të ndihmojë në procesin e hetimeve të prokurorëve të OKB-së lidhur me fatin e rreth 3 mijë shqiptarëve të Kosovës, që figurojnë të humbur. Kjo mund të shtojë gjithashtu mbështetjen e popullit serb, për t’ia kaluar për gjykim Gjykatës së Hagës, zotin Millosheviç dhe të tjerë ndaj të cilëve ka ngritur padi gjykata e krimeve të luftës. Aktualisht zoti Millosheviç ndodhet në një burg, në Beograd, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit.

Qeveria jugosllave po punon për një projektligj, që do të lejonte transferimin e ish-presidentit Milloshevic, në Hagë. Në Gjykatën Ndërkombëtare zoti Milloshevic do të jepte llogari nën akuzat për krime lufte, lidhur me masakrimin apo dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve etnikë nga Kosova në vitet 1998 dhe 1999.

Sllobodan Millosheviçi meriton të gjykohet jo vetëm për krimet e tij kundër popullit serb, por edhe për shkeljen e ligjit ndërkombëtar. Siç tha edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Boucher, “Është e qartë se nxjerrja e Millosheviçit para drejtësisë ndërkombëtare për krime ndërkombëtare, vazhdon të mbetet përparësia kryesore.

XS
SM
MD
LG