Lidhje

Forcat politike shqiptare dënojnë dhunën në Manastir - 2001-06-08


Qeveria shqiptare dhe opozita politike dënuan aktet e dhunës ndaj shqiptarëve në qytetin e Manastirit dhe kërkuan që qeveria e Shkupit të marrë masa për të mbrojtur shqiptarët dhe të përpiqet për të zgjidhur me dialog dhe me rrugë paqësore krizën maqedonase.

“Dënojmë fuqishëm - deklaroi qeveria shqiptare - aktet vandale të grupeve ekstremiste maqedonase në qytetin e Manastirit, të cilët dogjën dhe shkatërruan dhjetëra shtëpi e dyqane të pronarëve shqiptarë si dhe dogjën 2 xhami. Eshtë hera e pestë brenda 5 javëve që pronat dhe jeta e banorëve shqiptarë në Manastir bëhen objekt i sulmeve vandale, aq më tepër që këto të fundit ndodhën kur në qytet ishte vendosur gjendja e shtetrrethimit” - theksohet në deklaratën e qeverisë.

“Asnjë arësye - thuhet në deklaratë - nuk justifikon dhunën e egër etnike dhe urrejtjen. Qeveria shqiptare i bën thirrje qeverisë maqedonase të marrë masa për të siguruar jetën dhe pronën e banorëve shqiptarë të Manastirit. Qeveria shqiptare bashkohet me qëndrimin e BE-së dhe SHBA-së, se në shkallën aktuale të krizës, është jo vetëm i papërshtatshëm por edhe mund të ketë efekte negative, cdo hap i ndërmarrë për vendosjen e gjendjes së luftës në Maqedoni”. Qeveria e Tiranës mendon se “kriza në Maqedoni mund të kapërcehet vetëm përmes dialogut dhe reformave demokratike që sjellin standarte europiane për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë”.

Ndërkaq edhe opozita dënoi dhunën ndaj shqiptarëve të Manastirit. Shefi i marrëdhënieve ndërkombëtare të PD, Besnik Mustafaj, tha për shtypin se opozita po ndjek me shumë shqetësim zhvillimet e përsëritura negative në Maqedoni. “Ngjarjet e fundit në Manastir - tha ai - janë një akt tjetër alarmues për situatën e tendosur në Maqedoni. Ne i kërkojmë shtetit maqedon të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të ndaluar dhunën që do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një luftë civile. Një luftë civile do të ishte dezintegruese për Maqedoninë, do të ishte edhe një problem i madh për të gjithë rajonin. Ne i sugjerojmë shqiptarëve të Maqedonisë të përdorin të gjitha rrugët e ligjshme për të mbrojtur pronat dhe jetën e tyre” - tha Mustafaj.

Ai shtoi se edhe qeveria shqiptare mund të bëjë më shumë në komunikimet diplomatike me Shkupin për të ndryshuar gjendjen; e po ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare. Z.Mustafaj shtoi se partitë shqiptare atje po tregojnë një pjekuri të lartë me veprimet e tyre po japin kontribut të madh në shërbim të zgjidhjes paqësore dhe dialogut për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për të siguruar në mënyrë demokratike reformimin e shtetit maqedonas.

XS
SM
MD
LG