Lidhje

Kalendari historik i datës 11 qershor - 2001-06-11


Më 11 qershor 1859, kërkuesi i arit, Henry Comstock nëpërmjet një kërkese zyrtare parashtroi pretendimin se kishte zbuluar argjend në shtetin Nevada. Mijëra minatorë, kërkues e të tjerë u turrën në drejtim të rajonit të Nevadës veriperëndimore, kur u botua lajmi për zbulimin e shtresave të pasura në argjend nga Comstocku. Aty pranë u ngrit qyteti legjendar kufitar Virginia City. Në qytet u ndërtuan hotele, pijetore e më së fundi edhe një teatër i operas. Henry Comstock, zbulimi i të cilit u bë shkas për të gjitha këto, e shiti minierën e tij për 11 mijë dollarë. Blerësi u bë miloner. Një sasi ari dhe argjendi, me një vlerë prej më shumë se 500 milionë dollarësh do të nxirrej më së fundi nga malet që rrethonin zbulimin fillestar të Henry Comstockut. Më 11 qershor 1963, në shtetin jugor të Alabamës, arriti kulmin një kontradiktë që kishte tërhequr vëmendjen e gjithë vendit. Guvernatori racist i Alabamës, George Wallace, qendroi në këmbë pranë hyrjes kryesore të ndërtesës së administratës së Universitetit të Alabamës, duke bllokuar në mënyrë simbolike, urdhërin e një gjykate, për regjistrimin e dy studentëve zezakë në universitetin shtetëror, vetëm për të bardhë, të Alabamës. Gjykatësi federal, i cili kishte lëshuar urdhërin që universiteti t’i jepte fund dallimit racial, e kishte paralajmëruar guvernatorin Wallace, se mund të arrestohej në se ndërhynte, apo nuk i bindej urdhërit të gjykatës. Duke dashur të shmangë dhunën, presidenti John Kennedy dha urdhër që milicia shtetërore e Alabamës të vihej nën kontrollin federal. Komandanti i milicisë, i tha në mënyrë të njerëzishme guvernatorit Wallace që të hapte rrugën dhe t’i linte të hynin studentët zezakë. Pasi kundërshtoi dy herë të lëvizë, më së fundi guvernatori u tërhoq.

XS
SM
MD
LG