Lidhje

Emigracioni në SHBA - 2001-06-11


Rritja e madhe ekonomike e shoqëruar me ngadalësimin e dukshëm të rritjes së popullsisë, ka nxitur disa qytete amerikane që të ndërmarrin hapa për tërheqjen e imigrantëve të rinj. Këto qytete i shohin imigrantët si shumë të nevojshëm për plotësimin e vendeve të punës dhe si një burim për pasurimin e shumëllojshmërisë etnike. Fondacionet bamirësë në Pitsburg të Pensilvanisë po ofrojnë ndihma financiare për grupe që marrin përsipër sjelljen e imigrantëve, si dhe nxisin studentët e huaj që të qëndrojnë në këtë qytet pas diplomimit të tyre.

Albaquerque në New Mexico ka miratuar një ligj duke e shpallur qytetin miqësor për imigrantët. Filadelfia në Pensilvani po shqyrton mundësinë e zgjerimit të aeroportit për shtimin e fluturimeve nga Azia dhe Amerika Latine. Demografi Jefrey Passel thotë se ky qëndrim është thuajse krejt ndryshe nga ai i jo shumë kohëve më parë kur amerikanët friksoheshin se imigrantët do t’u zinin vendet e punës. Për këtë ndryshim sjelljeje, zoti Passel jep disa arsye: “Një arsye është shtimi i shpejtë i imigrantëve në zonat ku më parë nuk ka pasur të tillë. Së dyti, kjo ndodh në një periudhë të rritjes shumë të madhe ekonomike ku niveli i papunësisë është 4 përqind e në disa rajone ku numir i imigrantëve po rritet niveli i papunësisë është vetëm 2 përqind”.

Krahas kësaj, thotë zoti Passel, në përgjithësi disa imigrantë janë më të arsimuar e disa të tjerë më pak të arsimuar se sa banorët vendas, dhe kjo krijon një balancë të përsosur në tregun e punës. “Një përqindje e madhe e imigrantëve në Amerikë janë të pa kualifikuar e me nivel të ulët arsimi, por përqindja e imigrantëve me arsim të lartë është mjaft më e madhe se sa përqindja e banorëve me arsim të lartë në zonat ku ata vendosen” thotë zoti Passel.

Si shumë qytete të tjerë, Luisville në shtetin Kentucky gjatë viteve të fundit ka humbur popullatën e saj midis moshës 25-35 vjeçare. Por Donna Craig, drejtore e zyrës së Luisvillit për çështje kulturore e ndërkombëtare, thotë se ekonomia e qytetit shpëtoi nga rënia falë shtimit të imigrantëve gjatë 10 vjetëve të fundit.

“Në vitin 1990 në shkollat publike të krahinës Jefferson kishte 3-4 gjuhë të huaja. Sot në shkollat publike ne kemi 62 gjuhë. Qyteti ynë është mjaft tërheqës për imigrantët dhe ne i kemi pritur ata me krahë hapur” thotë zonja Craig.

Por a do të vazhdojë kjo sjellje pozitive ndaj imigrantëve në se ekonomia amerikane dobësohet. Kjo mbetet për t’u parë, thotë demografi Jefrey Passel.

XS
SM
MD
LG