Lidhje

KQZ në Shqipëri: komisionet zonale nuk po funksionojnë - 2001-06-11


KQZ i kërkoi edhe një herë të gjithë zyrtarëve të komisioneve zonale të lënë mënjanë presionet dhe kërkesat që iu bëjnë partitë e tyre politike dhe të zbatojnë me rigorizitet detyrat që iu ngarkon ligji për mbarëvajtjen sa më të mirë të zgjedhjeve të qershorit.

Kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi tha sot (11 qershor) në një konferencë shtypi se një pjesë e komisioneve zonale nuk po funksionojnë siç duhet për shkak se anëtarët e tyre po bien pre e porosive të partive që përfaqësojnë. Zoti Celibashi tha se komisioni që ai drejton po punon që të zbatojë ligjin dhe për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta dhe se asnjë nga problemet e tanishme për zgjedhjet nuk ka lindur prej veprimtarisë së tij por janë çështje që kanë buruar prej ambicjeve të partive politike.

Duke iu referuar çështjes së të ashtuquajturve kandidatë të pavarur tha se KQZ është përpjekur që t’i krijojë partive politike shanse të barabarta mbi zgjedhjet e 24 qershorit. “Duhet kuptuar qartë dhe e shikojmë të nevojshme që të sqarojmë edhe njëherë palët e interesuara si dhe opinionin, që çështja e kandidatëve të pavarur është problem i partive politike dhe i mënyrës së bërjes zgjedhje nga ana e tyre. Ky nuk është një problem, i cili ka lindur nga ndonjë aksion vendimmarrës i KQZ. Për shumë faktorë është e qartë se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon në radhë të parë dhe të domosdoshme vullnetet e përbashkëta të faktorit politik. Prandaj ne i ftojmë partitë që së pari të gjejnë mundësitë për bashkpunim dhe KQZ në çdo rast është e gatshme të jetë pranë tyre me qëllim që zgjedhjet e 24 Qershorit të kenë vlerësimin pozitiv të të gjitha palëve.”- tha Celibashi.

Kryetari i KQZ tha se një pjesë e komisioneve zonale ka rënë nën diktatin e partive, por komisionerëve u është bërë e qartë se ata mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve përpara ligjit dhe KQZ dhe jo përballë partive politike. “Për hir të së vërtetës duhet thënë se jo të gjitha këto komisione funksionojnë në mënyrë normale. Në pjesën më të madhe të tyre ka një funksionim normal dhe anëtarët e këtyre komisioneve zonalë zgjedhorë (pasi komisionet e qendrave të votimit akoma nuk janë krijuar) përgjithësisht kanë kuptuar detyrën dhe përgjegjësitë e tyre. Por ka probleme në disa komisione zonale zgjedhore dhe mendoj se këto probleme vijnë si rrjedhojë e diktatit dhe imponimit të faktorëve të ndryshëm politik mbi anëtarët e këtyre komisioneve” – tha kryetari i KQZ.

Zoti Celibashi tha se nuk është zyrtarisht në dijeni të një kërkese të re të partive politike për shmangien e problemit të “të pavarurve” deri të mërkurën duke theksuar se mirëpret bashkëpunimin e partive për tejkalimin e kësaj çështjeje. Ai mohoi që KQZ t’i jetë nënshtruar presionit të ndonjë partie politike.

XS
SM
MD
LG