Lidhje

Rritja ekonomike - premtimi kryesor i palëve në zgjedhje - 2001-06-13


Forcat kryesore politike rivale në Shqipëri për zgjedhjet e 24 qeshorit e kanë mbështetur një pjesë dërrmuese të fushatës së tyre në një numër të madh premtimesh të fushës ekonomike. Ato po zënë pjesën më të madhe të fjalimeve të politikanëve që janë shpërndarë në të gjithë vendin nëpër dhjetëra tubime fushatore.

Socialistët po premtojnë forcimin e stabilitetit makroekonomik, vazhdimin e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike, vazhdimin e investimeve për ndërtimin e rrugëve. Politikanët socialistë gjithashtu janë shprehur për hapjen e 27 mijë vende pune çdo vit qeverisje, uljen e varfërisë dhe favorizimin e bujqësisë nëpërmjet politikave doganore në mbrojtje të prodhimit vendas. Thelbi i fjalimeve të kandidatëve socialistë në dhjetra tubime është se tashmë Shqipëria ka hyrë në rrugën e mbarë të zhvillimit dhe reformave dhe se tani duhet që këto proçese të përparojnë më tej edhe me një mandat tjetër qeverisës për ta.

Ndërsa për aleancën opozitare “Bashkimi për Fitore” premtimi kryesor është ulja 50% e taksave si dhe rritja e pagave dhe pensioneve. Gjithashtu politikanët opozitarë të “Bashkimit për fitore “ kanë premtuar krijimin e zonave të lira dhe industriale, heqjen e taksave për materialet e bujqësisë, hapjen e vendeve të reja të punës si dhe rregullimin e rrugëve kombëtare dhe lokale. Opozitarët janë shprehur për ngritjen e një gjykate llogarish që do të kontrollojë me transparencë vjeljen e taksave dhe organizimin e tenderave.

Përveç premtimit të opozitës për uljen e taksave në 50%, pjesa më e madhe e premtimeve të tjera të të dy palëve vlerësohen nga analistët si të ngjashme midis tyre dhe besueshmëria e përmbushjes së premtimeve lidhet vetëm me vendosmërinë e grupeve të teknicienëve të forcave konkurrente për t’i realizuar ato.

XS
SM
MD
LG