Lidhje

Rusia dhe Grupi i 8 -shes - 2001-06-13


Ligjvënësi demokrat liberal, Tom Lantos, i cili shërben edhe si anëtar i komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin, Rusia ka dështuar provën e saj drejt demokracisë dhe si rrjedhim ajo nuk duhet të marrë më pjesë në takimet vjetore të ekonomisë, ku marrin pjesë vendet më të zhvilluara demokratike të botës.

Senatori Lantosh, një refugjat i Luftës së Dytë Botërore nga Hungaria, thotë se masat shtypëse të presidentit rus Putin ndaj mjeteve të pavarura të informimit janë një shenjë që flet për dobësimin apo ndoshta kapitullimin e plotë të forcave demokratike në Rusi. Për të shprehur kundërshtimin ndaj veprimeve të presidentit Putin, senatori Lantosh propozoi një rezolutë, ku bëhet thirrje për pezullimin e anëtarësisë së Rusisë në grupin e vendeve më të industrializuara të botës.

Në një konferenrcë shtypi që mbajti dje në Qendrën Kombëtare të Shtypit në Washington, senatori Lantosh pranoi se administrata e presidentit Bush ka mundësi të mos e mbështesë pozitën e tij, por ai tha se ka ardhur koha për fillimin e një debati nëse Rusia mund të radhitet në grupin e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht të botës. Rusia merr pjesë në takimet vjetore të ekonomisë botërore që nga viti 1992 dhe ajo u pranua zyrtarisht në Grupin e 8-ëshes në vitin 1998, veprim të cilin zoti Lanto e ka mbështetur. “Por kjo ishte një shfaqje shprese, e besimit dhe e vullnetit të mirë. Unë e mbështeta këtë veprim në atë kohë, në mënyrë që Rusia të bëhej anëtare e këtij grupi vendesh të zgjedhura. Por, mendoj se veprimet antidemokratik të kohëve të fundit të presidentit Putin, e bëjnë të detyrueshëm pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në Grupin e 8 -shes”.

Në grupin e 8-shes bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja dhe katër vendet më të mëdha evropiane. Takimi vjetor i grupit të tetëshes këtë vit do të zhvillohet në Itali nga 20 deri më 22 korrik.

Cliff Gaddy, specialist i çështjeve ruse pranë Institutit Brookings në Washington, pajtohet me mendimin se nga pikëpamja ekonomike, pranimi i Rusisë në grupin e 8-shes nuk ka qenë i arsyetueshëm. Rusia, thotë ai, u pranua në këtë grup për arsye strategjike, për të mbështetur presidentin Jelcin në përpjekjet e tij për ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. “Ky ka qenë vazhdimisht një grup përzgjedhës. Kriteri i anëtarësimit ka qenë pesha ekonomike e këtyre vendeve në ekonominë botërore. Pikërisht për këtë arsye, unë gjithmonë kam menduar se ky ka qenë një vendim tejet kurioz, për të mos thënë jo i domosdoshëm. Mirëpo, është diçka krejtësisht tjetër ta tërheqësh ftesën pasi është marrë vendimi për ta pranuar Rusinë në këtë grupim dhe për ta quajtur atë Grupi i Tetshes. Duhet të ndodh diçka tepër serioze për të motivuar ndërmarrjen e një hapi të tillë.”

Zoti Gaddy thotë se anëtarësimi i Rusisë në Grupin e Tetëshes nuk është bërë me kusht që Moska të veprojë në përputhje me standardet perëndimore të demokracisë. Senatori Lantosh thotë se presidenti Putin dëshiron aq shumë të sigurojë pëlqimin dhe mbështetjen perëndimore, saqë kur të takohet në fund të kësaj jave me presidentin Bush, ka mundësi që ai të tregohet shumë i përzemërt me homologun e tij amerikan. Fuqitë evropiane, megjithëse nuk u pëlqen aspak fakti që Rusia është anëtare e Grupit të Tetëshes, nuk kanë lënë të kuptohet se mbështesin pezullimin e pjesëmarrjes së saj në këtë grup.

XS
SM
MD
LG