Lidhje

Kosovë: kapen sasi armësh në kufirin me Malin e Zi - 2001-06-15


Policia e Kombeve të Bashkuara në Kosovë njoftoi se ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në një kamion me tabela të Bosnjës i cili kishte hyrë në Kosovë nga Mali i Zi. Zëvendëskomisioneri i policisë ndërkombëtare në Kosovë, Ardi Groes tha se kamioni u ndalua në hyrje të qytetit të Pejës në Kosovën perëndimore, ndërsa drejtuesi i tij ka arritur të ikë nga vendi i ngjarjes.Njësitet e posaçme të policisë ndërkombëtare, pas kontrollit zbuluan një vend të fshehtë brenda të cilit ishte vendosur sasia më e madhe e armatimit e zënë deri tash në Kosovë. Sipas tij në kamion janë gjetur mbi 300 pushkë automatike “kallashnikov”, mbi një mijë granata të mortajave si dhe mbi 500 granata dore.

Zëvendëskomisioneri i policisë ndërkombëtare në Kosovë, Ardi Groes, tha se “këto armë të luftës që mund të shpërndaheshin ne Kosovë, do të mund të shkaktonin dhunë, vrasje dhe pasiguri në gjithë rajonin”. Zoti Groes nuk shpaloi shumë hollësi të operacionit për të shtuar se “tash për tash nuk dihet se për ku ishin nisur armët e zbuluara”. Mirëpo Zoti Groes theksoi se “në periudhën kur pritet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe me konfliktin e armatosur në kufirin e Maqedonisë, përpjekja për të futur një sasi të këtillë të armatimit në Kosovë, mund të cilësohet vetëm si një përpjekje për të dëmtuar qëndrueshmërinë e rajonit.

Operacioni i forcave ndërkombëtare që u publikua sot është i dyti me radhë që është zhvilluar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Kohë më parë, policia e Kombeve të Bashkuara dhe forcat paqërujatëse arrestuan 7 persona me shtetësi të ndryshme kur ndaluan një kamion me tabela të Bosnjës i cili ishte ngarkuar me një sasi të madhe të armatimit, për të cilën besohej se mund të kishte për synim Luginën e Preshevës, deri para tri javësh skenë e luftimeve ndërmjet forcave serbe të sigurimit dhe guerilëve shqiptarë. Operacioni i fundit ndërkaq ka pasuar një amnesti të shpallur nga administrata ndërkombëtare e cila kishte për qëllim mbledhjen e armëve të paligjshme në Kosovë. Një rregullore e miratuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara parasheh gjoba deri në 20 mijë marka gjermane apo dënime me burg deri në 10 vjet heqje lirie për të gjithë ata persona që posedojne armë pa lejen e autoriteteve.

XS
SM
MD
LG