Lidhje

Kalendari historik i datës 18 qershor - 2001-06-18


18 qershor 1798 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi të parin e 4 ligjeve të njohur së bashku me emrin Ligjet mbi të Huajt dhe Rebelimin. Në bazë të Ligjit mbi Rebelimin, të drejtat e qytetarëve amerikanë kufizoheshin duke ndaluar mbledhjet me karakter politik, që kundërshtonin çdo masë të qeverisë. Ligji po ashtu i konsideronte të paligjshme veprimet e atyre personave që kritikonin qeverinë me gojë ose me shkrim. Ligji për të Huajt autorizonte deportimin, arrestimin ose burgosjen e të huajve që konsideroheshin të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara. Kongresi mbizotërohej nga Partia Federaliste, e cila besonte në një qeveri të fuqishme qendrore. Të dyshimtë ndaj çdo qendrimi opozitar, federalistët e shihnin çdo kundërshtim ndaj politikës së tyre si një rrezik për qeverinë. Ligjet për të Huajt dhe Rebelimin shihen nga historianët si një përpjekje e federalistëve për të dobësuar partinë opozitare të Republikanëve, në udhëheqje të së cilës bënin pjesë shumë imigrantë. Federalistët u përpoqën të vënë shenjën e barazimit ndërmjet lindjes në një vend të huaj dhe pabesisë ndaj Shteteve të Bashkuara. Pasi u zgjodh president i vendit më 1800, Thomas Jeffersoni urdhëroi të ndalohej menjëherë zbatimi i Ligjeve mbi të Huajt dhe Rebelimin. Më 18 qershor, 1872 një gjykatë arriti në përfundimin se Susan Anthony, udhëheqëse e Lëvizjes për të Drejtën e Grave për të Votuar, ishte fajtore nën akuzat se kishte votuar. Ajo u dënua me 100 dollarë gjobë dhe 30 ditë burgim. Ajo nuk pranoi ta paguajë gjobën dhe si gjoba edhe dënimi i saj me burg u pezulluan. Susan Anthony kishte udhëhequr një grup grash në një qendër votimi në Rochester të shtetit Nju Jork, për të vënë në provë të drejtën e grave për të votuar. Më së fundi, në vitin 1920, përpjekjet e zonjës Anthony ndihmuan në hartimin dhe miratimin e amendamentit të 19-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, i cili u garanton grave në Shtetet e Bashkuara të drejtën e votës.

XS
SM
MD
LG