Lidhje

Televizionet në Shqipëri mbajtën qëndrime të njëanshme në fushatë zgjedhore - 2001-06-21


Televizionet publike dhe private dështuan në pasqyrimin e paanshëm të fushatës zgjedhore të qershorit, duke shënuar favorizime të dukshme për njërën apo tjetrën forcë politike. 6 nga 8 televizionet e monitoruara rezultuan haptas të njëanshme sa i takon kohës që i kushtojnë veprimtarive elektorale të Partisë Socialiste nga një anë dhe aleancës opozitare “Bashkimi për fitore” në anën tjetër. Monitorimi i KKRT në bashkëpunim me “Shoqatën për Kulturë Demokratike” nxorri në pah se 4 televizione, përfshi edhe atë publik, i kanë siguruar veprimtarive të Partisë Scialiste një hapësirë shumë më të madhe kohore krahasuar me opozitën, ndërsa 2 televizione kanë favorizuar ndjeshëm aleancën “Bashkimi për fitore”. Në raportin më të fundit të monitoruesve, shënohet se në TVSH aktori kryesor në lajme është PS, ndërsa 3 televizione të tjera private kanë transmetuar fushatën e socialistëve 2 dhe 3 herë më shumë se atë të opozitës. Ndërsa vetëm 2 televizione private të profilit opozitar i kanë kushtuar aleancës “Bashkimi për fitore” 7 herë më shumë kohë transmetimi se PS. Përjashtim kanë bërë vetëm 2 televizione kombëtare private që janë përpjekur të sigurojnë një kohë thuajse të barabartë për konkurentët kryesorë të këtyre zgjedhjeve. KKRT i bëri thirrje televizioneve të ushtrojnë me profesionalizëm lirinë dhe pavarësinë e tyre për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo partive politike. Përfaqësuesi i këtij këshilli, Andrea Nathanaili, thotë se gjatë gjithë kësaj fushate kanë munguar debatet shumëpalëshe në tryeza të rrumbullakta televizive dhe shpesh gjuha e gazetarëve është militante dhe e njëjtë me atë të politikanëve. “Ndjekja nga pas e të gjitha aktiviteteve të partive dhe përdorja e gjuhës së politikanëve për t’ja transmetuar informacionin e një mitingu publikut është e gabuar. Them se elektorati shqiptar do të shpëtojë ditën që nuk do të ndiqen nga prapa mitingjet e partive politike, por do të hapen bisedat, ose do të shpalosen alternativat në tryeza të rrumbullakta”- theksoi Nathanaili. Monitoruesit pohojnë se televizionet e kanë vazhduar pasqyrimin e njëanshëm të fushatës zgjedhore, edhe pse e dinë se prej 4 javësh janë nën monitorim të kronometruar, të paktën sa i takon sasisë së transmetimeve, dhe që këto veprime janë shkelje ligji dhe mund të ndëshkohen me gjoba për kundravajtje administrative.

XS
SM
MD
LG