Lidhje

OSBE - tepër e interesuar për zgjedhjet në Shqipëri - 2001-06-21


OSBE i bëri thirrje të martën (19 qershor) partive dhe institucioneve shqiptare të sigurojnë një proces të lirë dhe të drejtë në zgjedhjet e 24 qershorit.

Ambasadori Geert Ahrens, përfaqësues i zyrës së OSBE-së në Tiranë, tha në një konferencë shtypi se mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve ka një rëndësi parësore për afrimin e Shqipërisë me institucionet europiane “Ju kërkojmë të gjitha palëve të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri - tha ambasadori Ahrens - që të kenë parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe të ushtrojnë përgjegjësitë për të hedhur një hap kritik përpara. Ju kërkojmë të gjithë pjesëmarrsve në këto zgjedhje - theksoi ai - të zbatojnë rregulloret dhe të bëjnë një lojë të ndershme. Ju bëjmë thirrje komisionerëve të të gjitha niveleve që të zbatojnë detyrat e rëndësishme që kanë përpara”.

Ai tha se mosmarrëveshjet e mundshme do të duhet të zgjidhen brenda institucioneve zgjedhore dhe juridike. “Nëse drejtuesit dhe populli i Shqipërisë do të bëjnë punën e tyre duke bërë përpjekjet më të mëdha të mundshme në një klimë bashkëpunimi dhe jo konflikti, atëherë ata do t’i bëjnë një shërbim të madh nxitjes së integrimit më të plotë të vendit të tyre në pjesën tjetër të Europës dhe brenda bashkësisë atlantike”. - theskoi Ahrens.

Ndërsa drejtori i zyrës ODHIR të OSBE-së, amb. Gerard Stoudman tha se janë të gjitha shanset që këto zgjedhje në Shqipëri të shënojnë një hap përpara. Por ai tha se është i shqetësuar për një çështje që rrezikon cilësinë e zgjedhjeve, që është ajo e “kandidatëve të pavarur”. “Kjo çështje përmban rrezikun e prishjes së një “shporte me fruta” – tha ambasadori Stoudman - dhe potencialisht të prishë zgjedhjet e mira”.

Sipas tij, kjo çështje duhet parë urgjentisht dhe në mënyrë serioze. “Kjo çështje - tha zyrtari që do të vëzhgojë zgjedhjet - duhet të zgjidhet përpara ditës së djelë, kur njerëzit të shkojnë për të votuar. Dhe zgjidhet thjesht: nëse këta kandidatë janë apo jo të pavarur nga partitë politike. Askush nuk mund të jetë më pak ose më shumë i pavarur nga partitë” - tha ai, duke ironizuar në mënyrë krahasuese me shtatzaninë së grave.

XS
SM
MD
LG