Lidhje

Intervistë Nano-Berisha - 2001-06-21


VOA: Po lidhemi tani drejtpërdrejti me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Fatos Nano dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Sali Berisha. Zoti Nano ndodhet në Berat kurse zoti Berisha ndodhet në Vlorë. Duam të njoftojmë së pari shikuesit dhe dëgjuesit se pyetjet që do tu bëjmë zotit Nano dhe zotit Berisha nuk i kemi diskutuar me ta përpara dhe në të vërtetë ata nuk kanë kërkuar që tu themi që në fillim se cilat do të jenë pyetjet dhe në fakt praktika e Zërit të Amerikës është që të mos diskutohen paraprakisht pyetjet me ata që intervistohen. Ky është debati i parë midis zotit Nano dhe zotit Berisha dhe ne e kuptojmë se ata kanë shumë tema për të diskutuar por shpresojmë se ata e kuptojnë se koha e emisionit tonë është shumë e kufizuar. Natyrisht ky debat mund të jetë edhe një provë se sa të aftë janë drejtuesit e dy forcave kryesore politike për të përmbledhur shkurt dhe qartë idetë e tyre. Le të fillojmë, mirëmbrëma zoti Nano, mirëmbrëma zoti Berisha. Meqënëse herën e fundit që ju kishim së bashku në program filluam me zotin Berisha, kësaj rradhe do të kishim dëshirë të fillonim me ju zoti Nano.

Zoti Nano, si parti në pushtet a mendoni se i keni marrë të gjitha masat për të siguruar një proces normal zgjedhor? A u keni krijuar hapësirë të nevojshme forcave të tjera politike për një konkurim të barabartë?

NANO: Natyrisht ky problem është zgjidhur, për shkak se është edhe në avantazhin e maxhorancës së qeverisë që të garantojë një proces të lirë, të drejtë dhe me shanse të barabarta për të gjithë. Ndërkaq, këtë herë kemi avantazhin e një kodi elektoral të standardit evropian, kemi një institucion dhe administratë elektorale me kredibilitet jo të kontestuar, kemi një regjistër votuesish, listat e zgjedhësve të ndërtuar me kontributin e të gjithëvë, përfshi dhe opozitën. Jemi në kohën e duhur për të gjykuar bashkërisht dhe në sytë e publikut dhe vëzhguesve ndërkombëtare për një proces të qetë, të kulturuar, që u ka dhënë të gjithëve mundësinë për të shfaqur alternativat dhe për të bindur elektoratin.

VOA: Doktor Berisha, cilat janë shqetësimet tuaja kryesore dhe çfarë roli po luani ju për të luajtur një proces normal zgjedhor? Socialistët ju akuzojnë se ju qëllimisht po krijoni probleme.

BERISHA: Problemet më madhore të zgjedhjeve aktuale janë së pari, neni 66 i kodit elektoral i denoncuar tani nga të gjithë faktorët ndërkombëtare dhe 10 parti politike dhe e mbrojtur vetëm nga socialistët dhe i gatuar vetëm nga socialistët, të cilët duan që, nëpërmjet vjedhjes së votave të kandidatit të pavarur, të prishin përfaqësimin dhe votën e qytetarëve shqiptarë dhe të shkelin një parim shumë të rëndësishëm. Edhe një herë uroj që KQZ të gjejë forcën për të vendosur sot dhe për të mos prishur zgjedhjet në Shqipëri. PD deklaron se nuk ka asnjë interes partiak dhe se është e gatshme të konkurojë në çdo zonë me të pavarur dhe me të varur. Por kjo prish ndershmërinë e procesit zgjedhor dhe jemi kundër saj. Së dyti listat e zgjedhësve janë një kaos i vertetë. Dua t’ju njoftoj, për këtë kam njoftuar edhe komunitetin ndërkombëtar, se vetëm zona 84 në Pogradec ka të shtuar 12 mijë zgjedhës, të cilët nuk figurojnë në atë zonë, por që në të shumtën duket se janë militantë të PS dhe do të sillen të votojnë. Në Tiranë po jap qëndrën e votimit 222, ku kundrejt 662 zgjedhësve që ka, ka edhe 422 të cilët nuk i përkasin fare kësaj qëndre dhe janë të identifikuar me adresa. Por unë përsëri, përpara se të deklaroj për penalizimin e procesit zgjedhor, po bëj përpjekje të jashtëzakonshme për zgjidhjen e këtyre anomalive, në mënyrë që shqiptarët të votojnë në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Përsa u përket televizioneve, meqënëse zoti Agolli bëri një raport të saktë unë nuk po ndalem. Por dua të theksoj se angazhimi i strukturave të policisë sekrete me në krye kryetarin e SHIK-ut, Prokurorisë së Përgjithsme në fushatë dhe të gjithë atyre segmenteve që me ligj janë të ndaluar të marrin pjesë në fushatë, kompromenton rëndë të gjithë seriozitetin e qeverisjes aktuale. Por të gjitha këto janë në kontekstin e atyre që ikin.

VOA: Zoti Nano, krahasuar me vitin 1997 Shqipëria ka bërë përparime të dukshme, por ende ndeshet me probleme serioze, që sipas kundërshtarëve tuaj janë rrjedhim i keq-qeverisjes socialiste. Transparenca me publikun nuk ka qënë e plotë dhe as cilësore. Si mendoni se votuesit duhet t’u besojnë premtimeve që bëni dhe t’ju japin edhe një mandat tjetër katërvjeçar.

NANO: Unë besoj se transparenca me publikun është rritur akoma me tepër dhe ka ekzistuar deri më sot për shkak të fushatës elektorare. Njerëzit kudo ku unë po bëj fushatë, para apo mbrapa doktorit, po kuptojnë që ne gjetëm një GDP minus 7 për qind dhe, rikthyem një rritje mesatare ekonomike prej 7-8 për qind në vit. Gjetëm një inflacion 43 për qind dhe e kemi ulur nën 4 për qind. Kemi rritur pagat 100 për qind dhe pensionet 60 përqind, ndërsa pensionet e fshatit janë trefishuar. Kemi arritur te punësojmë 150 mijë njerëz, pasi janë shkurtuar 60 mijë nga administrata publike e cila është bërë e standardit modern. Kemi harxhuar 1.5 miliardë dollarë për të shlyer borxhin shtetëror që gjetëm nga Berisha dhe për të ringritur në këmbë insitucionet, që nga gjykatat e deri tek komisariatet, 80 për qind e të cilave ishin djegur. Kemi ndërtuar 150 km autostradë dhe superstrada dhe kemi riparuar 1500 km rrugë rurale. Kemi trajnuar 50 mijë të papunë, kemi riparuar 600 shkolla dhe 33 objekte universitare. Kemi ulur ndaj qeverisjes së Berishës taksat dhe tarifat doganore për imputet në bujqësi 50 përqind. Bujqësia ka arritur të plotësojë 70 për qind të nevojave të ushqimeve të brëndshme e të tjera si këto. Problemi është se me këto që tha Berisha për situatën elektorale unë po shoh që ai është përgatitur t’i humbasë zgjedhjet.

VOA: Zoti Berisha, Shqipëria ende po ballafaqohet me pasojat e krizës se vitit 1997. Si mund t’i bindni ju votuesit që PD meriton te kthehet në pushtet? Pse mendoni ju se alternativa juaj dhe alternatIva e "Bashkimit për Fitore" është më e mirë se e Socialistëve?

BERISHA: Mendoj se alternativa jonë është pakrahasimisht më e mirë se ajo që paraqitën, sepse sot papunësia në Shqipëri është 50 për qind, në çdo dy shqiptarë njeri është i papunë, në një kohë kur ishte gjithsejt 11-13 për qind. Ne kemi një program të shkëlqyer për punësimin e shqiptarëve. Mendoj se përgjysmimi i taksave, të cilat u dyfishuan dhe sot ngarkesa fiskale është 58 përqind, kundrejt 28 për qind që ishte në ‘96-tën. Kjo do t’i japë një çlirim të madh, një hapësirë të re iniciativës së lirë në Shqipëri. Mendoj se programi ynë kundër varfërisë, Shqipëria sot renditet ndër tre katër kombet më të varfëra të globit me të ardhura për frymë nën 1 dollar. Sipas Bankës Botërore rroga mesatare në Shqipëri nga 108 dollarë që ishte më 1996 ka zbritur në 72 dollarë. Të pretendosh se janë rritur rrogat 100 për qind është një iluzion, për të mos thënë pak më shumë. Çmimet ç’është e vërteta janë rritur 150 për qind, kurse përsa u përket taksave të fshatit më mirë se kushdo tjetër e di fermeri shqiptar që sot paguan 2-3 here më shumë se në 1996 për plugimin, mbjelljen, plehërimin e tokës së tij. Programi ynë i garanton atij heqjen totale të taksave për të gjitha importet bujqësore që i nevojiten për fermat e tyre, mbrojtjen e prodhimit nga kontrabanda e pandershme. Është e vërtetë që një taksë hoqën qeveritarët socialistë dhe kjo taksë është taksa e miellit, pasi shtinë në dorë tregtinë e miellit dhe bën që gruri në Shqipëri të vlejë si ushqim lopësh dhe të mos ketë asnjë interes. Qumështi te ketë çmimin si në Kubën e Fidel Kastros. Pra ky ishte një program ekonomik disastër. Dhe ne kemi programin ekonomik të rimëkëmbjes së shpejtë, të përthithjes së investimeve të huaja, të krijimit të një ambjenti për eksport, të fiksimit të një rroge minimale 100 dollarë, të një pensioni minimal 50 dollarë. Kam bindjen se nuk mund t’i bëjmë shqiptarët të pasur, se të pasur do të bëhen vetë, por do t’i shkëpusim nga varfëria dhe ata po presin me padurim datën 24 qershor të japin verdiktin e tyre.

VOA: Zoti Nano, ju dhe zoti Berisha jeni dy figurat kryesore politike të vendit. Kundërshtarët ju akuzojnë se jeni të dy prodhuesit kryesore të tensioneve politike. Si mbroheni ju personalisht nga akuza të tilla? A është Fatos Nano partizan i vijës së ashpër politike?

NANO: Unë nuk besoj se më ka ngelur të shtoj ndonjë gjë në atë që publiku i brëndshëm, i Ballkanit dhe ai ndërkombëtar e njeh, rolin tim në moderacionin e politikës shqiptare, rolin tim në uljen e tensionit në marrëdhëniet maxhorancë-opozitë edhe kur isha në burg për shkak të Berishës, rolin tim në demokratizimin e Partisë Socialiste dhe në ndërtimin e një koalicioni progresist të orientuar nga vlerat euro-atlantike, që ka funksionuar mirë në këto katër vjetët e fundit, rolin tim në hapjen ndaj shoqërisë civile dhe ftesat e mia të panumerta që mbeten pending ndaj opozitës dhe Berishës për t’u bashkuar në konkurencë alternativash dhe në përpjekjet atdhetare për të ndërtuar strategji, që sigurojnë ritme më të shpejta të integrimit euro-atlantik të vendit. Mbeten pending të tilla ftesa dhe mundësia për më shumë bashkëpunim, sepse vendet e opozitës në tryezën e punës kombëtare për integrim euro-atlantik dhe kapërcimin e problemeve që shqetësojnë edhe Berishën, megjithëse Berisha është doktor dhe nuk i kupton mirë gjërat e ekonomisë, kanë ngelur vakante deri më sot. Ne mbetemi të vendosur që edhe pas 24 qershorit, kur Berisha të jetë prapë ne opozitë, të vazhdojmë të punojmë me të sepse vërtet është një nga personalitetet e jetës politike të vendit.

VOA: Zoti Berisha, thuhet se ju dhe zoti Nano po e mbani Shqipërinë peng, se jeni pengesa kryesore për të ecur përpara. Personalisht, thuhet se jeni një politikan që pëlqeni format e protestës ekstreme dhe se nuk pranon ose nuk respekton rrugën institucionale. Si ju përgjigjeni këtyre akuzave dhe si mund ta interpretojmë thirrjen tuaj për një "fillim të ri"?

BERISHA: Do të jem shumë i shkurtër në këtë përgjigje, pasi kam vendosur një rregull, një vendim, që në fushatë të merrem me programin tim dhe jo me kundërshtarët e mi. Në rast se ata po lexojnë me stilin kinez 10 pikat apo 15 pikat kundër Berishës, unë qesh kur i dëgjoj dhe merrem me programin dhe alternativën e Bashkimit për Fitore. Kurse për sa i përket çështjes që përmendi tangencialisht, nuk bëri mirë që e përmendi çështjen e burgut, sepse koka e falur nuk pritet. Unë e kam falur zotin... shokun Fatos edhe nuk e kam falur me zemër të thyer.

NANO - Pas 4 vjetësh shoku Sali.

VOA: Zoti Nano Shqipëria ende cilësohet si një vend me risk të lartë për investuesit e huaj. Flitet se klane të ndryshme të krimit të organizuar kanë arritur të shtijnë në dorë degë të caktuara të ekonomisë. Mbi 60% e veprimtarisë ekonomike zhvillohet jashtë ligjeve dhe rregullave. Si mendoni ti zgjidhni këto probleme?

NANO: Ne jemi të angazhuar në programe të bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe me institucione të specializuara të BE-së dhe të qeverive perëndimore që asistojnë Shqipërinë, për të zhvilluar programe që e sjellin vendin, ekonominë institucionet, administratën publike, shtetin ligjor në tërësi në standartet e progresit për të aderuar në marrëveshjen e asocim-stabilizimit. Dhe më pas, për të plotësuar kushtet e integrimit në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto janë publike, janë transparente dhe meqenëse po japin rezultate, në praktik po shtohen investimet e huaja. Vetëm në vitin 2000 janë 200 milionë dollarë investime të huaja që kanë mbërritur në Shqipëri, falë politikës së suksesshme të privatizimit të aseteve strategjike të qeverisë sonë. Ndërsa në vitin në vazhdim janë tashmë të angazhuara 240 milionë dollarë investime të tjera të huaja, të cilat duke ju shtuar të njëjtën shifër të investimeve të brendshme private, ka një boom të investitorëve vendas, do ta çojnë në rreth 500 milionë dollarë investimin privat vendas dhe të huaj, krahas rreth 1 miliard dollarëve të programuara për t’u investuar nga financat publike në 4 vjetët e ardhshëm. Nga kjo pikëpamje, lufta kundër korrupsionit po jep rezultate. Lufta kundër trafiqeve që synojnë të kryqëzohen edhe në këtë trevë të Ballkanit të banuar nga shqiptarë, është nën kryqëzim zjarri të të gjithëve, edhe të institucioneve të shtetit shqiptar dhe tashmë përparimi në të gjitha fushat ka bërë që BE në samitin e Goteborgut të japë mbështetjen për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit me qeverinë e Shqipërisë.

VOA: Zoti Berisha, kuadri i domosdoshëm ligjor për të luftuar korrupsioni dhe krimin e organizuar tashmë ekziston. Në qoftë se partia juaj vjen në pushtet, çfarë masash konkrete do të merrni dhe a mendoni se do të keni vullnetin politik për t’i zgjidhur këto probleme?

BERISHA: Nuk ka dyshim se korrupsioni përbën kancerin e vërtetë të një shoqërie në zhvillim dhe përbën përparësinë tonën absolute në luftën kundër tij. Në 4 vjet qeverisje ka patur korrupsion, por kemi bërë dhe një luftë të palëkundur. Janë penalizuar, burgosur dhe shkarkuar ministra mbi ministra, guvernatorë, deputetë të Partisë Demokratike. Në 4 vjet në mënyrë absolute nuk i është futur ferra në këmbë asnjë qeveritari a zyrtari të asnjë niveli të qeverisjes. Eshtë përdorur privatizimi për të larë paratë e qeveritarëve dhe s’ka asnjë investim të huaj por të gjitha janë shitblerje të pasurive të shqiptarëve për t’u larë paratë e qeveritarëve, sikundër u kaluan ditët e fundit të parlamentit shqiptar në një akt të paprecedent në historinë e një vendi, 16 ligje shumica e të cilëve kishin të bënin me privatizimin dhe shpërdorimet e pasurisë kombëtare. Lufta kundër korrupsionit do të mbetet përparësi dhe do të bazohet në paktin që paraqitëm në Parlament për korrupsionin. Dikasteri që do t’i besojmë opozitës shqiptare do të jetë kontrolli i shtetit. I garantojmë opozitën se nesër komisioni i tyre parlamentar përveç Kontrollit të Shtetit, do të autorizohet të kontrollojë të gjitha prokurimet që ka bërë qeveria demokratike që nga ‘92-shi dhe që do të bëjë deri në 2006-ën, sikundër do t’i rikthejmë paketën që kishim në 1997-ën kundër korrupsionit dhe krimit. Dua t’ju rikujtoj se në vitin 1996 43% e të burgosurve në burgjet e Shqipërisë kanë qenë për krim ekonomik. Ka ekzistuar një vullnet politik, por tani dua të them se ai do të jetë i hekurt, nisur nga parimi se askush të mos mendojë se do të bëjmë diferencim në luftën kundër korrupsionit, ndaj zyrtarëve tanë apo ish-zyrtarëve.

VOA: Zoti Nano, parashikimet e deritanishme janë se partitë e vogla mbase nuk do të arrijnë të sigurojnë ndonjë përqindje të lartë në votime. Kështu që, ose Partia juaj Socialiste, ose Partia Demokratike do të mbizotërojë. Në qoftë se ju fitoni, çfarë masash konkrete jeni gati të ndërmerrni për të siguruar një fillim politik të ri për Shqipërinë, që edhe opozita të përfshihet disi në qeverisjen e vendit dhe të mos ndihet e lënë jashtë procesit?

NANO: Ne besojmë që në 24 qershor fitorja e maxhorancës aktuale do të përsëritet, prandaj ne kemi marrë të gjitha masat dhe kemi shpallur të gjitha angazhimet publikisht për të vazhduar rrugën e mbarë të nisur, duke ripërsëritur angazhimin institucional dhe politik për të integruar edhe opozitën e Berishës në programe e përshpejtimit të ritmeve të reformave strukturore, të reformave institucionale, të hapjes ndaj botës, të cilat do të na bënin të plotësonin më shpejt kondicionalitetet e marrëveshjes së asocimit me BE dhe të arrinim në kohën e duhur standardet e kërkuara në të gjitha nivelet, edhe të sigurisë edhe të integrimit të tregjeve dhe te eficencës së administratës publike. Pra unë e ftoj Berishën, edhe pse pas 24 qershorit do të vazhdojë të jetë në opozitë bashkë me Kontrollin e Shtetit qe ka edhe tani, për të bashkëpunuar me më shumë gadishmëri dhe atdhetarizëm se sa deri më sot për të ndërtuar dhe zbatuar një strategji kombëtare te integrimit, të cilat kalojnë natyrshëm nga dora e njërës maxhorancë tek tjetra dhe atdheu ecën përpara.

VOA: Zoti Berisha, e njëta pyetje për ju. Në rast se ju fitoni këtë të djelë, çfarë masash do të merrni për një bashkëpunim më të ngushtë me socialistët?

BERISHA: Së pari do te ketë një qeverisje prej 10 partish. Sot kam shpallur se në koalicionin qeveritar do të inkludohen Partia e Aleancës Demokratike, PDNJ, dhe PDK. Kjo ndarje e pushtetit bën të domosdoshme që edhe vëndi i opozitës të rivlerësohet dhe të ridimensionohet. E vërteta është që kur u pyet shoku Nano për fillimin e ri, fillimi i ri atje është vazhdim i vjetër, këtej është fillimi i ri. Kështu që për fillim të ri do të kemi si detyrim që ta integrojmë Shqipërinë në Evropë. Kam përshëndetur Brukselin dhe Gotenburgun dhe kam konstatuar se ata nuk ia dhanë kësaj qeverie privilegjin e firmës në tre shkaqe kryesore, trafikun e skllevërve të seksit në të cilin janë implikuar direkt qeveritarët shqiptar dhe që Shqipëria për mjerimin tonë ze vendin kryesor në Evropë, korrupsioni i cili është më galopanti dhe zgjedhjet dhe administrata. Tani përderisa këta zotëri, këta shok për katër vjet nuk i përmbushën shpresat janë shumë të pakta dhe unë nuk po ndalem se ata janë duke ikur dhe unë i garantoj shqiptarët se do t’i plotësoj të gjitha këto kushte dhe Shqipëria me datën 2 janar firmos hapjen e negociatave.

VOA: Ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG