Lidhje

Robertson për sfidat e Natos - 2001-06-23


Sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson tha se aleanca duhet të përgatitet për të përballuar konflikte rajonale si ai në Maqedoni. Zoti Robertson i bëri komentet e tij gjatë një vizite në Uashington. Lordi George Robertson, thotë se Natoja ka nevojë të largohet nga përgatitjet për beteja në front të gjerë të tipit të Luftës së Ftohtë. Duke folur në Washington javën e kaluar, ai tha se me qëllim që aleanca ta ruajë fuqinë e saj, ajo duhet të përgatitet për të përballuar konflikte rajonale, si ato në ish-Jugosllavi dhe aktualisht në Maqedoni.

“Fakt është se Maqedonia, për dhjetë vitet e fundit ka qenë model harmonie, si shtet që ishte në gjendje të shmangë rreziqet të cilat prekën pjesë të tjera të Jugosllavisë. Por, ndoshta, gjatë kësaj kohe, ata i kanë lënë punët paksa pas dore”, shpregon sekretari i përgjithshëm i Natos.

Por lordi Roberston tha se sfidat nuk përfundojnë me kaq. Ai tha se përparimi i teknologjisë dhe mundësia për ta përdorur atë mund të jenë shkatërrimtare dhe mund ta lënë Naton të zbuluar dhe pa planet e duhura.

“Sot kemi të bëjmë me përhapjen e shpejtë të kompjuterave të sofistikuar, të komunikimit elektronik, të miniaturizimit, dhe të agjentëve vdekjeprurës biologjikë e kimikë. Kemi të bëjmë gjithashtu me një sistem global që është më i ndryshëm dhe më i copëzuar se sa në kohën e Luftës së Ftohtë kur forcat ishin polarizuar në dy anë”.

Lordi Robertson tha se kanë filluar diskutimet lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të ardhmen e vendeve të Natos, çështje që u shtruan gjatë një takimi në fillim të këtij muaji.

“Një rezultat i rëndësishëm, do të ishte një Nato e unifikuar, e fuqishme dhe e efektshme në ruajtjen e sigurisë së familjeve tona dhe të brezave tanë të ardhshëm”, tha zoti Robertson.

XS
SM
MD
LG