Lidhje

Në Shqipëri gati 50 përqind e zonave janë në balotazh - 2001-06-26


Në Shqipëri ende nuk dihet rezultati i saktë i turit të parë të zgjedhjeve të përgjithshme. Të dhënat që japin partitë janë kontradiktore, ndërsa gati 50 përqind e zonave janë në balotazh. Asnjë informacion i saktë as për votat që kanë marrë forcat politike në shkallë vendi. Deri tani duket se forca e tretë në vend është renditur Partia Demokrate e Genc Pollos, ndërsa koalicioni opozitar Bashkimi për Fitore pretendon të jetë partia e parë. Turi i parë i zgjedhjeve të së dielës duket se ka lënë shumë pikëpyetje mbi përbërjen e parlamentit të ardhshëm, ndarjen e tij mes partive por edhe të qeverisë. Nga mbrëmja e së dielës deri tani,shifrat kanë ndryshuar disa herë dhe janë përmbysur. Kryetari socialist Fatos Nano duke folur dje për Zërin e Amerikës ridimensionoi rezultatet e shpallur mëngjesin e së hënës. Sipas tij socialistët kanë fituar në 35 zona, kanë humbur në 18 dhe janë në balotazh në 46 të tjera. Ndërsa demokratët flasin për 27 zona të fituara dhe 29 të humbura, dhe për një përqindje të lartë votasi të marra në shkallë vendi.

Teorikisht të dy partitë kryesore, socialistët dhe demokratët mund të konsiderohen pretendentë për qeverisjen e ardhshme. Socialistët shprehen të sigurtë për këtë të favorizuar edhe nga fakti që balotazhi në një farë mënyrë është në avantazhin e tyre. Koalicioni opozitar Bashkimi për Fitore nuk ka më se c’vota të kërkojë djathtas, ndërkohë që partia e Fatos Nanos mund të grumbullojë edhe votat e aleatëve të saj të cilët morrën pjesë të ndarë në garë. Por megjithatë socialistëve do t’u duhet të kalojnë një tjetër provë të vështirë. Fakti që gati gjysma e oznave janë balotazh, sipas asaj që deklarojnë ata vetë, dëshmon se siguria e tyre para votimit nuk është justifikuar. Tani atyre u duhet të fitojnë të paktën 35 zona në turin e dytë për të arritur kështu 50 përqind të parlamentit, dhe të sigurojnë shumicën për krijimin e qeverisë. Për të arritur objektivin e tyre, të kontrollit të 84 vendeve të parlamentit, duket se do të kërkojnë mbështetjen e aleatëve të tyre.

Por si socialdemokratët ashtu dhe Aleanca Demokratike apo Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut duket se nuk i kanë kaluar 3 përqind, sipas të dhënave të ofruara nga ata vetë. Forca e tretë sipas të gjitha gjasave është partia e re e krijuar pak më shumë se një vit më parë nga ish nënkryetari i partisë Demokratike Genc Pollo. Megjithëse nuk kanë marrë asnjë vend në votimin direkt, Partia Demokrate thotë se ka arritur deri në 8 përqind, gjë që do ta bënte atë një forcë serioze. Në parlamentin e ri kjo parti mund të ketë më shumë se 10 deputete. Duke patur parasysh ekuilibret e brishta mes dy krahëve politik, kjo forcë mund të kthehet në një faktor kyc në vendimarrjet e rëndësishme të parlamentit. Partitë e tjera, që këto katër vjet qeverisën bashkë me socialistët, megjithëse me një përqindje të ulët do të mbeten gjithashtu në pozita favorizuese. Për shkak të sistemit proporcional secila prej tyre mund te kete të paktën 4 deputetë.

Nga ana e saj, partia demokratike është kufizuar në denoncimet e saj për manipulimet në procesin zgjedhor. Ajo jep shifra të një barazpeshe me socialistët por nga ana tjeter duket e disinteresuar në përpjekjet për të parë mundësinë e revanshit në balotazh. Aq më tepër kur deklaron se në shkallë vendi ka marrë rreth 47 përqind të elektoratit. Mesa duket lufta e shifrave do të vazhdojë derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë publike rezultatet. Sipas ligjit sot në këtë komision duhet të mbërrijnë procesverbalet nga komisionet e zonave dhe brenda dy ditësh duhet të jepen rezultatet.

XS
SM
MD
LG