Lidhje

Në Shqipëri vazhdon lufta e shifrave për rezultatet e mundshme - 2001-06-26


Kur kanë kaluar dy ditë nga përfundimi i turit të parë të zgjedhjeve, në Shqipëri vazhdon lufta e shifrave për rezultatet e mundshme. Si kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ashtu dhe ai i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaruan sot se janë fituesit e zgjedhjeve të ditës së dielë. Pothuajse në një interval të njëjtë kohor, socialistët në mbledhjen e kryesisë së tyre dhe koalicioni opozitar në një konferencë shtypi rreth orës 13.30 minuta njoftuan kontrollin e parlamentit të ri. Kryetari socialist dha shifrat sipas të cilave partia e tij ka marrë mbështetjen e 46 përqind të elektoratit ndërsa koalicioni opozitar 34 përqind nga të cilat 25 përqind Partia Demokratike. Kryetari Nano tha se kandidatët e së majtës kanë fituar në 35 zona, kanë humbur në 17 dhe janë në balotazh 47 të tjera. Ai u shpreh i sigurtë se në turin e dytë partia e tij do të marrë 43 zona. Panoramë krejt e kundërt dhe tepër optimiste në kampin e së djathtës. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shfaq së bashku me drejtuesit e partive aleate duke deklaruar fitoren e koalicionit Bashkimi për Fitore. Zoti Berisha nuk pranoi të japë shifra duke deklaruar se preferon që rezultatet të dalin nga Komisionet Zonale. Ndërsa sot gazeta e Partisë Demokratike njoftonte se koalicioni opozitar ka siguruar 47 për qind të elektoratit shqiptar.

Ndërsa vetëm një ditë më parë Partia Demokratike ishte e gjitha në aksion për grumbullimin e fakteve për rastet e dhunës dhe të manipulimeve të denoncuara prej tyre, sot Zoti Berisha u shpreh se do të ketë një angazhim serioz edhe në turin e dytë të votimeve. Ai lëshoi edhe një herë ftesën për një qeveri të gjerë së bashku me Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Demokristianët dhe Aleancën Demokratike, pa përjashtuar as Partinë Demokrate të Genc Pollos. “Qeveria jonë nuk do të jetë qeveri e djathtë por liberal-demokrate”, u shpreh kryetari Berisha i cili pas konferencës së shtypit u ul në një tavolinë me dy eksponentë të Aleancës Demokratike Neritan Ceka dhe Preç Zogaj. Me mënyrën se si po rrjedhin ngjarjet mbetet të pritet shpallja e rezultateve nga ana Komisionit Qëndrore të Zgjedhjeve, për të kuptuar se cila do të jetë forca që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme. Sipas procedurale ky komision duhet të njoftojë rezultatet brenda dy ditëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG