Lidhje

Komentet e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për transferimin e luftëtarëve shqiptar - 2001-06-27


Departamenti amerikan i Mbrojtjes u vu në mbrojtje të përdorimit të trupave dhe mjeteve amerikane të transportit për tërheqjen e luftëtarëve shqiptarë nga n Haraçina në afërsi të Shkupit. Në këtë operacion u përdorën rreth 20 mjete amerikane transporti, disa të blinduar, dhe rreth 80 trupa amerikane. Sipas një plani që ishte pranuar nga autoritetet maqedonase, kryengritësit shqiptarë dhe Natoja, automjetet amerikane hynë të hënën në Haraçinë dhe transferuan rreth 350 veta, përfshirë luftëtarë të armatosur, në një fshat tjetër rreth 18 kilometra nga Haraçina.

Zëdhënësi i Pentagonit, kundër-admirali Craig Quigley, e cilësoi këtë si operacion të veçuar që kishte për qëllim uljen e tensionit pranë kryeqytetit maqedonas. Ai u tha gazetarëve në Pentagon se operacioni nuk duhet të shihet si një shenjë paralajmëruese për pjesëmarrje më të thellë të Shteteve të Bashkuara në konfliktin maqedonas.

“Nuk do ta cilësoja këtë si një ndryshim rrënjësor në qendrimin amerikan, si një shenjë e vazhdimit të mbështetjes në këtë nivel. Unë nuk e shoh kështu. Duke marrë para sysh rrethanat, mednojmë se ky ishte një veprim i përshtatshëm” thotë zëdhënësi. Disa qindra forca amerikane janë të vendosura në Maqedoni për të siguruar mbështetje logjistike për operacionet paqeruajtëse të Natos në Kosovë. Admirali Quigley thotë se vetëm kontigjenti amerikan e ka mundësinë dhe aftësinë për të ndërmarrë shpejt misione shoqërimi. Ai tha se misioni ishte i suksesshëm, por pranon se disa protestues janë të zemëruar. “Mendimet për kursin që duhet të marrë ky rajon, nuk mungojnë, por cilado qoftë rruga që merret, ne jemi më se të bindur se zgjidhja duhet të jetë politike dhe jo ushtarake” tha zëdhënësi. Megjithëse zyrtarët e Pentagonit thonë se misioni i shoqërimit kaloi pa incidente, autokolona amerikane hasi në vështirësi gjatë kthimit në bazën e vet. Në një pikë kontrolli, demonstrues të zemëruar, disa të armatosur, e detyruan komandantin amerikan të merrte një rrugë tjetër.

XS
SM
MD
LG