Lidhje

Parandalimi i Sides - 2001-06-27


Një spital në qytetin e Nju Jorkut ka përgatitur një program për parandalimin e virusit të sidës, HIV. Programi është projektuar për të trajtuar pacientët brenda tri ditësh nga ekspozimi ndaj virusit HIV.

Programi filloi të zbatohet 18 muaj më parë, në Qëndrën Mjekësore Beth Israel, e cila financohet nga fonde private. Programi quhet Post Exposure Prophylaxis(Profilaksi pas ekspozimit ndaj Virusit) dhe është i pari program i tillë në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara që u vjen në ndihmë njerëzve që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit të sidës brenda 72 orësh.

Doktori Brian Saltzman, bashkërendues i programit në Qendrën Beth Israel, thotë se nisma për të trajtuar personat e sapoinfektuar me virusin HIV, nuk është e re. Më 1990 Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humanitare ndërmori një program në shkallë kombëtare për pajisjen e spitaleve dhe qendrave mjekësore me ilaçe të aprovuara për mjekimin e punonjësve të shëndetësisë, që ishin ekspozuar ndaj virusit të Sidës, HIV. Kurse, dy vjet më parë, Departamenti i Shëndetësisë i San Franciscos, vendosi të furnizojë me të njëjtat ilaçe, popullsinë e qytetit që kishte nevojë për to. Doktor Saltzman thotë se një kombinim i 3 ose 4 ilaçeve standart kundër virusit të Sidës, mund t’u shpëtojë jetën njerëzve, në se merret në kohën e duhur.

“Në programet spitalore, po të fillohet mjekimi me shpejtësi, rreziku i infektimit që ka të ngjarë të vijë si pasojë e një ekspozimi, mund të pakësohet 80 përqind” thotë mjeku.

Pasi të plotësojnë trajtimin 4 javësh, për 7 muaj me radhë pacientët duhet të bëjnë analiza për t’u siguruar që nuk janë më të infektuar me HIV. Doktori Saltzman thotë se elementi më i rëndësishëm i trajtimit, është faktori kohë.

“Në se trajtimi bëhet brenda 72 orëve që virusi është kapur brenda rruazave të bardha të gjakut dhe vazhdon për 28 ditë, qelizat e infektuara të gjakut mund të mënjanohen nga sistemi brenda periudhës 28 ditëshe dhe çdo virus që mund të ketë hyrë në trup mund të shkatërrohet”

Doktor Saltzman vë në dukje se trajtimi mund të ketë efekte anësore të rënda, si të vjella, dhimbje koke, ëndërra të çuditshme, çrregullime të gjendjes shpirtërore dhe diarrhe. Gjatë 18 muajve të fundit, thotë doktor Saltzman, asnjërit nga të 60 pacientët që janë trajtuar në bazë të programit Post Exposure Prophylaxis në Qendrën Mjekësore, Beth Israel, nuk i kanë dalë analizat për HIV pozitive. Megjithatë ai paralajmëron se nuk ka pasur ndonjë studim të pavarur që të konfirmonte shkencërisht efektshmërinë e terapisë.

Joseph Kassous, që është përgjegjës i linjës telefonike 24 orëshe të programit Post Exposure Prophylaxis të qendrës mjekësore Beth Israel, thotë se shumica e njerëzve që telefonojnë, në përgjithësi nuk i janë nënshtruar ndonjë ekspozimi shumë të rrezikshëm, por kanë pasur ndonjë ekspozim të rastit ose duke kryer marrëdhënie seksuale të pasigurta, ose kanë përdorur të njëjtën gjilpërë shiringe me një tjetër.

“Ata janë gjithmonë në panik. Të gjitha telefonatat e tyre bëhen nga paniku. Pavarësisht se çfarë kontakti kanë pasur, ata më telefonojnë mua të përfshirë nga paniku”. Disa nga ata që telefonojnë, shton ai, e kërkojnë terapinë si masë parandaluese, kur parashikojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale të pasigurta. Këto kërkesa ne nuk i marrim parasysh, thotë ai. Doktori Saltzman thekson se terapia nuk duhet marrë me lehtësi.

“Terapia nuk merr fund brenda një nate. Ajo është një regjim intensiv 28 ditësh që shoqërohet me efekte anësore të rëndësishme dhe duhet filluar brenda 72 orësh pas një ekspozimi tepër të rrezikshëm.” Doktori Saltzman thotë se Qendra Mjekësore Beth Isral përpiqet t’i ndihmojë të gjithë ata që kanë nevojë për këtë trajtim, duke përfshirë të varfërit dhe ata që janë të pambuluar nga sigurimet mjekësore.

XS
SM
MD
LG