Lidhje

Intervistë me James Swigert, Departamenti i Shtetit - 2001-06-27


VOA: Zoti Swigert, duket se Maqedonia po rrëshqet drejt një lufte civile. Ju sapo u kthyet nga një qëndrim i gjatë atje. Në këtë moment të vonuar, si mund të shmanget lufta civile atje?

Swigert: Jam dakord se Maqedonia tani është në udhëkryq midis paqes dhe rrëshqitjes drejt një lufte të përgjithëshme civile. Mendoj se situata nuk është përtej cakut kur nuk ka kthim prapa. Përkundrazi, ekzistojnë mundësitë për zgjerimin e armëpushimit të kufizuar për Haraçinën në një armëpushim që mbulon gjithë vendin dhe pastaj të kalohet te çarmatimi i UÇK-së siç parashikohet në planin e presidentit Trajkovski që është miratuar nga qeveria dhe nga parlamenti dhe që është mbështetur nga të gjithë udhëheqësit e Natos. Gjithashtu ka filluar edhe një dialog i përshpejtuar për çështjet politike që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rivendosjen e paqes në vend.

VOA: Por deri tani dialogu politik nuk ka dhënë rezultate. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën.

Swigert: Ka patur shumë akuza të ndërsjella nga të gjitha palët, por mendoj se ka ardhur koha që të lihet mënjanë retorika dhe akuzat, se cilët janë përfaqësues të kësaj apo të asaj pale dhe të përqendrohemi në nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje politikenë Maqedoni. Më lejoni të theksoj se të vetmit njerëz që duhet të kenë vend në tryezën e bisedimeve politike janë udhëheqësit e zgjedhur. Në tryezë nuk ka vend për të ashtuquajturën UÇK, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila nga pikpamja e Uashingtonit, duhet të them se i ngjan një Ushtrie Kombëtare Pushtuese. Çelësi këtu është të ndalet dhuna, të arrihet përparim në dialogun politik dhe ka rëndësi thelbësore të kuptohet se për këtë është e nevojshme të bëhen kompromise nga të gjitha palët, kompromise në interes të paqes, të qytetarëve të Maqedonisë, për të gjetur një zgjidhje të ngutshme të problemit. Dhe unë kam besim se kjo mund të bëhet.

VOA: Zoti Swigert, a është realiste të shpresohet për një marrëveshje pa përfshirë në një farë mënyre edhe UÇK-në.

Swigert: Mendoj se kjo jo vetëm që është realiste por është gjithashtu e domosdoshme. Është e pamundur që në një shoqëri të qytetëruar, në një demokraci, në shekullin e 21, kur fjala është për çështje të tilla të rëndësishme si ato për kushtetutën e vendit, t’i japësh vend në tryezën e bisedimeve njerëzve të cilët kanë marrë armët për të arritur qëllime politike. Në Evropën e shekullit të 21 nuk ka vend për njerëz të cilët nuk e pranojnë procesin politik dhe përdorin dhunën për arritjen e synimeve politike.

VOA: Në këto momente kritike për Maqedoninë, cili është mesazhi i Shteteve të Bashkuara për maqedonasit dhe shqiptarët si dhe për udhëheqësit e tyre?

Swigert: Mendoj se ekziston rreziku që njerëzit të bëhen pesimistë dhe që në klimën eksistuese të frikës të arrijnë në përfundimin se Maqedonia ka arritur në një pikë pa kthim dhe në prag të shkatërrimit. Maqedonia nuk është në prag të shkatërrimit. Komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, Natoja dhe Bashkimi Evropian qendrojnë përkrah Maqedonisë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje. Përparësia kryesore tani është shtrrja e armëpushimit të kufizuar në të gjithë vendin. Së dyti, kërkohet që të bëhet përparim në drejtim të dialogut politik. Mendoj se në tryezë tani janë shtruar çështjet më të vështira. Është shtruar çështja e Kushtetutës, e cila është me rëndësi si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët, udhëheqësit politikë të të cilëve e kanë thënë qartë se shqiptarët në Maqedoni ndihen si qytetarë të dorës së dytë dhe kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi. Ne jemi dakord me këtë. Është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje politike e cila t’i bëjë shqiptarët ta ndjejnë se po trajtohen si të barabartë. Mendoj se ka gjithashtu rëndësi që udhëheqësit e zgjedhur të shqiptarëve që marrin pjesë në tryezën politike ta kuptojnë se çdo të thotë negociatë. Negociatë do të thotë që të arrish kompromise të pranueshëm dhe jo që të zgjedhësh midis pozicioneve ekstreme dhe atyre të logjikshme. Ajo do të thotë të gjesh kompromise të cilat kënaqin interesat dhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni. Mund t’ju them se pozita që u shtrua në tryezë para më shumë se një jave nga udhëheqësit e zgjedhur të partive shqiptare, është një pozitë ekstreme që nuk mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. Mund t’ju them gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë dyshime serioze lidhur me propozimet për një shtet dykombësh ose për një qeveri dykombëshe në Maqedoni. Dua të them gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara janë mjaft të angazhuara në zgjidhjen e problemit në Maqedoni. Nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, muajin e fundit unë kam shkuar disa herë në Maqedoni së bashku me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian Havier Solana, me sekretarin e përgjithshëm të Natos George Robertson. Unë jam i sigurt se ne do ta arrijmë një zgjidhje në të ardhmen e afërt.

XS
SM
MD
LG