Lidhje

Presidenti Bush bllokon fondet për UÇK - 2001-06-28


Presidenti Bush po hedh hapa për të bllokuar fondet amerikane për ekstremistët e armatosur shqiptarë që po sfidojnë qeverinë e Maqedonisë. Ndërkohë, zoti Bush ri afirmon përkrahjen amerikane për operacionet e Natos në rajon.

Zoti Bush thotë se po i mban të hapura alternativat ushtarake. Gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët, zoti Bush u pyet në se Shtetet e Bashkuara do të angazhonin trupa në Maqedoni për të parandaluar një luftë civile. Ai tha se nuk do ta përjashtonte këtë mundësi dhe se të gjitha alternativat janë të hapura. Presidenti Bush riafirmoi përkrahjen e tij për operacionet e Natos në Kosovë.

"Ne jemi pjesë e Natos. Unë isha kohët e fundit në Evropë dhe thashë atje se ne hyjmë së bashku në Ballkan dhe së bashku do të largohemi prej andej. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim," tha Presidenti Bush. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Bush e kishte fjalën vetëm rreth planeve të Natos për të dërguar trupa në Maqedoni për çarmatosjen e ekstremistëve shqiptarë. Këto trupa do të dërgoheshin vetëm pasi të arrihej një marrëveshje armëpushimi në vend. Megjithatë, presidenti hodhi hapa kundër ekstremistëve shqiptarë në frontin financiar. Dje ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke ndaluar amerikanët nga çdo marrëdhënie apo veprim finaciar që ka të bëjë me pronat e udhëheqësve të njohur të lëvizjes së armatosur.

"Ne kemi të dhëna që ekstremistët shqiptarë po grumbullojnë fonde jo vetëm në Amerikë por edhe në Evropë. Dhe Amerika do të bëjë punën që i takon për të siguruar që këto para të mos shkojnë për financimin e veprimtarive ekstremiste të cilat përbëjnë një ndikim destabilizues për një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në Maqedoni," tha Presidenti. Presidenti Bush gjithashtu shpalli një vendim që kufizon mundësinë e disa ekstremistëve shqiptarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Në vendimin që ndalon hyrjen e tyre në Amerikë përfshihet një listë me emrat e personave, të cilët sipas Shtëpisë së Bardhë, kërkojnë të minojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

XS
SM
MD
LG