Lidhje

Konferenca e donatorëve për Jugosllavinë - 2001-06-29


Donatorët ndërkombëtarë vazhdojnë takimin në Bruksel për të diskutuar ndihmën për Jugosllavinë, vetëm pak orë pasi ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç u ekstradua në Hagë, ku do të gjykohet nën akuza për krime lufte. Organizuesit e konferencës shpresojnë të mbledhin më shumë se një miliard dollarë për të ndihmuar në procesin e rindërtimit të Jugosllavisë. Beogradi ka pohuar në mënyrë të përsëritur se i nevojitet ndihmë e jashtme për zbatimin e reformave dhe parandalimin e falimentimit ekonomik të vendit, por vendet perëndimore kishin kushtëzuar çdo ndihmë me ekstradimin e zotit Millosheviç.

Ish presidenti jugosllav u dërgua sot në një brug të Hagës, pak orë pasi zyrtarët serbë ia dorëzuan atë përfaqësuesit të gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Beograd. Zoti Millosheviç është i pari ish kryetar shteti që del para një gjykate ndërkombëtare nën akuzat për krime lufte.

Kryeministri serb, Zoran Xhinxhiç, tha se ekstradimi i zotit Millosheviç ishte i domosdoshëm për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të Jugosllavisë. Mirëpo, presidenti i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, e cilësoi ekstradimin si jo kushtetues. Përkrahësit e ish presidentit Millosheviç kanë në plan të organizojnë sot protesta në Beograd kundër ekstradimit. Disa mijëra veta mbajtën dje vonë një protestë të ngjashme. Gjykata e Hagës ngriti padi kundër zotit Millosehviç në vitin 1999 për rolin e tij në vrasjen dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova. Prokurorët thonë se kanë filluar procresin e përfshirjes në padi edhe të krimeve të kryera në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë.

XS
SM
MD
LG