Lidhje

Opozita në Shqipëri paralajmëron rrezikun e mosnjohjes së rezultateve - 2001-06-30


Acarohet sërish lufta politike kur vetëm pak orë ndajnë nga shpallja e rezultateve të turit të parë të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të zhvilluara të dielën e shkuar. Sot pasdite (30 qershor) koalicioni opozitar Bashkimi për Ftore akuzoi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve se po përkrah manipulimet e bëra në nxjerrjen e rezultateve nga ana e socialistëve. Sipas kryetarit të partisë Demokratike, Komisioni po pranon procesverbalet e fallsifikuara sipas tij nga komisionerët socialistë: “KQZ në diktat të plotë të Partisë Socialiste ka shpallur fituesë, në zona në të cilat ne kemi dokumenta të pakundërshtueshme të fallsifikimit të procesverbaleve, një seri deputetësh të partisë Socialiste” tha zoti Berisha.

Kryetari i PD-së solli si shembuj dy zona ku sipas kandidatëve të opozitës është ndryshuar rezultati dhe fallsifikuar dokumentacioni i këtyre zonave. Por zoti Berisha saktësoi se nuk janë vetëm këto dy raste por edhe shumë të tjera ku janë përsëritur të njëjtat veprime. Kryetari i Partisë Demokratike paralajmëroi se me veprime të tilla Komisioni Qëndror po çon në mosnjohjen e rezultatit të Zgjedhjeve: “I bëj thirrje dhe një herë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të rishqyrtojë vendimet e marra dhe të mos bëj të papranueshëm rezultatin duke dëmtuar në shkallë ekstreme vendin, stabilitetin – tha zoti Berisha - Nuk kërkoj asgjë tjetër veçse vlerësimin objektiv të dokumentave”

Zoti Berisha i bëri thirrje Komisionit të marrë parasysh faktet, të mos pranojë fallsifikimet e të bëj hetime pasi përndryshe e gjithë përgjegjësia për shkatërrimin e rezultatit zgjedhor do të bjerë mbi këtë institucion. Kundërshtimet e opozitës u bënë në një kohë kur Komisioni Qëndror po shqyrtonte zonat e fundit, dhe pikërisht ato më problematiket ku dhe kundërshtimet janë më të mëdha.

XS
SM
MD
LG