Lidhje

Millosheviçi në Hagë - 2001-06-30


Avokatët e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç takohen sot në një burg të Hagës me klientin e tyre, i cili nesër do të dalë për herë të parë para Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës. Para largimit nga Beogradi, avokatët e zotit Millosheviç thanë se klienti i tyre do të deklarojë se është i pafajshëm, kur ndaj tij të shpallen zyrtarisht akuzat për krime kundër njerëzimit, për rolin e tij në vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës.

Avokatët thonë se ish presidenti jugosllav e quan veten viktimë të hakmarrjes së Natos dhe gjyqin e tij politikisht të motivuar. Autoritetet po e mbajnë zotin Millosheviç të veçuar nga të akuzarit e tjerë për krime lufte dhe po e mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm që të mos vrasë veten.

Prokurorët thonë se gjyqi i tij pritet të fillojë pas të paktën 8 muajsh dhe mund të zgjasë deri në një vit. Ekstradimi i zotit Millosheviç ka shkaktuar krizë politike në Jugosllavi. Kryeministri Zoran Zhizhiç dhe të gjithë anëtarët malazezë të koalicionit qeveritar dhanë dorëheqjen në shenjë proteste.

XS
SM
MD
LG