Lidhje

I dërguari i posaçëm amerikan në Maqedoni - 2001-06-30


I dërguari i posaçëm amerikan për Maqedoninë, James Pardew, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të këtij vendi të gjejnë një zgjidhje politike të konfliktit midis forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura shqiptare. Zoti Pardew u tha sot gazetarëve në Shkup se ai do të punojë nga afër me diplomatë të lartë evropianë në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të parandaluar shndërrimin e kryengritjes së shqiptarëve në një luftë në shkallë të gjerë.

I dërguari amerikan paralamëroi gjithashtu se ata që përdorin forcën ushtarake për t’i dhënë fund konfliktit po minojnë përpjekjet ndërkombëtare të paqes.

Deri tani, forcat maqedone nuk kanë arritur të shtypin kryengritjen prej disa muash të luftëtarëve shqiptarë, të cilët po përpiqen t’i japin fund atij që ata e cilësojnë si diskiminim sistematik nga ana e shumicës sllave të vendit.

Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë maqedone tha se përpjekje me armë vazhduan edhe sot në afërsi të Tetovës dhe të Kumanovës. Kjo është dita e dytë me radhë e përleshjeve të një intensiteti të ulët në këto zona.

Maqedonia është nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar që të gjejë një zgjidhje të konfliktit. Zyrtarë të Bashkimit Evropian e kanë paralajmëruar qeverinë e Shkupit se mund t’i pezullohet ndihma nëse udhëheqësit politikë të Maqedonisë nuk arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.

Aleanca e Natos ka miratuar planet për dërgimin e 3 mijë trupavre në Maqedoni për të ndihmuar në procesin e çarmatimit të luftëtarëve shqiptarë, nëse atje mund të arrihet një armëpushim i qendrueshëm.

XS
SM
MD
LG