Lidhje

Shqipëri: KQZ shpall rezultatet e zgjedhjeve - 2001-07-01


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet e zgjedhjeve me përjashtim të një zone për të cilën do të vendoset sot në mbrëmje. Sipas të dhënëva të deritanishme ka mbetur thuajse dicka formale shpallja e të gjithë rezultateve te turit të parë të zgjedhjeve të përgjithsmë që u mbajtën në Shqipëri të dielën e shkuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë vendim sot në mbrëmje edhe për të vetmen zonë të mbetura pa u shqyrtuar: bëhet fjalë për garën në Gjirokastër mes kandiatit socialist Vangjel Tavo dhe kandidatit të pavarur Florenc Kalidhopuli. Për dy zona të tjera problematike, Komisioni vendosi sot paradite. Kështu, ministri i Financave Anastas Angeli do të duhet të konkurojë sërish të dielën e ardhshme me përfaqësuesin e Bashkimit për Fitore Robert Ceku, pasi edhe për këtë zonë u vendos balotazhi. Ndërsa botuesi i së përditshmes Koha Jonë, Nikollë Lesi u konsiderua i humbur në zonën e tij dhe fitues doli kandidati i pavarur Llesh Kola.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se socialistët janë fitues në 30 zona ndërsa demokratët në 17. Në 45 zona është vendosur balotazhi. Por bashkë me to, të dielën e ardhshme do të vendoset edhe per 6 të tjera, në të cilat votimi do të përsëritet në disa qendra. Nga tabela e votave duket se në katër prej tyre është e favorizuar aleanca opozitare e drejtuar nga partia Demokratike dhe vetëm dy për partine socialiste. Me këtë panoramë rezultatesh është e vështirë të thuash se kush mund të jete fituesi. Nga pikëpamja matematikore socialistët janë të favorizuar dhe mund të arrijnë zotërimin e 71 vendeve në parlament, pra kuotën e duhur për të formuar qeverinë, nëse fitojnë pjesën dërrmuese të balotazheve: ata nuk përfitojnë asnjë vend nga proporcionali. Nga ana tjetër për opozitën duket se detyra kryesore mbetet që të fitojnë në balotazh aq sa të mos i lejojnë socialistët të kontrollojnë shumicën e parlamentit. Nëse do të ndodhë kështu e gjithë loja politike do të luhet me aleancat që mund të krijojnë të dy krahët. Socialistët kanë të sigurt tani vetem socialdemokratët. Aleanca demokratike nuk dihet nëse e ka kapur pragun e nevojshëm për të hyrë në parlament. Ndërsa qëndrimi i aleates tjeter Bashkimi i të Drejtave të Njeriut është i paqartë dhe duket se këtë herë anon më shumë nga opozita e djathtë. Rol kyç i mbetet të luajë partisë së Genc Pollos e cila mund të sigurojë të paktën 8 deputetë në parlamentin e ardhshëm duke qenë forca e tretë politike në vend.

XS
SM
MD
LG