Lidhje

Rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri - 2001-07-02


Vetëm sot, 8 ditë pas zhvillimit të turit të parë të zgjedhjeve, mund të thuhet se është e qartë panorama politike e dalë nga votimet e së dielës. Sipas rezultateve të dhëna pasdite nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, aktualisht nga të 28 forcat politike, 4 parti e kanë të sigurt që tani pjesmarrjen e tyre në parlament, pasi kanë marrë më shumë se 2.5 përqind të votave të elektoratit shqiptar. Kështu PS ka marrë 41.98 përqind, Bashkimi për Fitore i udhëhequr nga Partia Demokratike 37.07 përqind, Partia Demokrate e Genc Pollos 5.11 përqind, dhe Partia Socialdemokrate 3.56 përqind. Nga ana tjetër, duke qenë se në një zonë në Lushnje nuk është votuar dhe do të ketë përsëritje votimesh në disa qendra, mundësi për të hyrë në parlament ka edhe për Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut e cila ka grumbulluar 2.37 përqind, Aleanca Demokratike me 2.37 përqind dhe Partia Agrare me 2.26 përqind. Fati i këtyre partive mund të thuhet se është në dorë të partive të mëdha, të cilat aty ku do të ketë votim nga e para të dielën e ardhshme mund t’i bëjnë thirrje elektoratit të tyre që votat për partinë t’ua japin këtyre forcave. Pjesmarrja në parlament e këtyre partive të vogla i intereson më tepër partisë Socialiste, sepse kështu ajo do të ngushtonte numrin e vendeve që partia demokratike do të përfitojë nga proporcionali. Rezultatet e turit të parë të zgjedhjeve e kanë lënë pothuajse të hapur garën zgjedhore. Asnjë forcë nuk ka siguruar ende 50 përqind të parlamentit të ardhshëm.

Partia Socialiste ka deklaruar se ajo është e favorizuar në raundin e dytë duke qenë se kandidatët e saj kryesojnë në pjesën më të madhe të zonave. Ndërsa gjashtë zonat ku do të ketë persëritje votimi dominohen kryesisht nga Bashkimi për Fitore. Kështu që socialistëve u duhet të fitojnë pjesën dërrmuese të balotazhit për të arritur që e vetme të ketë 71 deputetë në parlament për të formuar qeverinë. Nga ana tjetër opozitës i duhet po ashtu të fitojë sa më shumë për të penguar socialistët që të sigurojnë 50 përqind të parlamentit. Një gjë e tillë do të bënte që formimi i qeverisë të varej nga aleancat që do të siguronin secila prej forcave. Duke shpallur rezultatet e turit të parë Komisioni Qendor bëri dhe një bilanc të procesit zgjedhor. Ky komision konfirmoi pengesat e lindura nëpër komisionet Zonale që sipas tij u shkaktuan nga pressioni i partive mbi komisionerët por edhe nga parregullsitë teknike në plotësimin e formularëve. Komisioni Qëndror nëpërmjet kryetarit të tij Ilirjan Celibashi deklaroi se procesi zgjedhor ishte i një niveli më të lartë organizimi se zgjedhjet e tjera dhe se ky institucion, pavarësisht nga të metat, nuk ishte në shërbim të njëjrës apo tjetrës palë Zoti Celibashi tha se retorika e përdorur nga partitë politike ndaj Komisionit Qendor të Zgjedhjeve është në kundërshtim të plotë me angazhimin për të respoektuar institucionet dhe ligjin dhe kërkoi që kjo retorikë, sic tha ai të zëvendësohet me bashkëpunimin për të krijuar një klimë pozitive.

XS
SM
MD
LG