Lidhje

Kalendari historik i datës 3 korrik - 2001-07-03


Më 3 korrik të vitit 1937, aviatorja amerikane Amelia Erhart dhe navigatori i saj, Frederick Noonan, u nisën nga Guinea e Re për në ishullin Howell, 4 mijë e 200 kilometra më tej. Kjo ishte etapa e fundit e një fluturimi rreth botës, i cili, nëse përfundonte me sukses do ta bënte Erhartin gruan e parë që realizonte një udhëtim të tillë. Deri në këtë fazë, Erharti kishte përshkuar Amerikën e Jugut, Afrikën, Indinë dhe Australinë. Por Amelia Erhart dhe ndihmësi i saj nuk arritën kurrë në destinacion. Aeroplani i tyre u zhduk diku mbi Paqësor dhe nuk u pa më kurrë. Edhe sot pas 6 dekadash, zhdukja e tyre vazhdon të mbetet misterioze.

Më 3 korrik 1971 vdiq këngëtari dhe kompozitori 27 vjeçar, Jim Morrison, i cili kishte qenë këngëtari kryesor i grupit të njohur The Doors. Sipas të dhënave zyrtare Jim Morrison vdiq nga një goditje në zemër, kur ndodhej në banjë. Shumë janë të mendimit se vdekja e tij ishte rezultat i abuzimit me alkoolin dhe drogën për vite me radhë. Jim Morrison ishte një këngëtar mjaft i debatueshëm nga kritikët, i njohur për lëvizjet e tij të shfrenuara në skenë dhe për fjalët e pahijshme në tekstet e këngëve të tij. Më 1971 Morrison u largua nga kompleksi The Doors dhe shkoi në Paris për të shkruar poezi. Vdekja e tij në korrik të atij viti, ishte vdekja e tretë e një ylli të madh amerikan të muzikës Rock në më pak se një vit. Në shtator 1970 kishte vdekur kitaristi dhe këngëtari, Jimi Hendrix dhe pa kaluar tri javë, në tetor po të atij viti këngëtari Janis Joplin. Mendohet se tria këto vdekje lidheshin me përdorimin e drogave dhe secili nga të tre ata ishte 27 vjeç kur vdiq.

Më 3 korrik të vitit 1863, forcat e Unionit dhe Konfederatës zhvilluan luftimet vendimtare në betejën e Getisburgut, e cila u bë pikë kthesa e Luftës Civile Amerikane. Gjenerali i ushtrisë jugore të Konfederatës, George Pickett, kishte marrë urdhër të pushtonte një pozicion të ushtrisë së Unionit pranë fshatit Gettisburg, në Pensilvani. Sulmi filloi ngadalë, por pastaj 15 mijë trupa të gjeneralit Pickett dolën nga pylli dhe u vunë në formacion luftimi sup më sup duke formuar një linjë të gjatë, e cila filloi të lëvizë në fushë të hapur drejt trupave të Unionit. Drejt tyre filluan të qëllojnë topat e shumtë dhe vetëm disa qindra ushtarë arritën në llogoret e Unionit, ku pastaj u vranë ose u kapën rob. Atë mbrëmje, luftëtarët e mbetur të Konfederatës filluan tërheqjen të pasuar nga një karvan 27 kilometra i gjatë karrocash ku ishin vendosur të plagosurit.

XS
SM
MD
LG