Lidhje

Intervistë me kryetarin e Partisë Demokrate, Genc Pollo - 2001-07-03


VOA-Partia Demokrate e kryesuar nga Genc Pollo doli nga zgjedhjet e 24 qershorit si forca e tretë në parlament . Megjithëse e re në skenën e politikës shqiptare, kjo parti mund të luajë një rol vendimtar në zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë vitin e ardhshëm, pasi partisë që fiton shumicën i duhen të paktën 84 vota në parlament për të zgjedhur presidentin nga rradhët e saj. Për të diskutuar mbi rolin dhe synimet e Partisë Demokrate kemi ftuar për një bisedë telefonike udhëheqësin e kësaj partie, zotin Genc Pollo. Zoti Pollo mirëmbrëma! Zoti Pollo me daljen e partisë tuaj si forca e tretë në zgjedhjet e fundit, a mendoni ju se mund të flitet për një sfidim serioz nga një forcë e tretë e mbizotërimit të politikës shqiptare nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike?

Genc Pollo-Mendoj që pikërisht këtë sollën zgjedhjet e 24 qershorit në skenën politike shqiptare e cila prej 10 vitesh dominohet nga dy blloqe të cilat mirë apo keq lanë shenjën e tyre këtë dekade , por kjo dekadë është shënuar nga konflikte shtetesh dhe nga luftë herë- pas-here pa princip. Fakti që një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar votoi dhe mbështeti me votën e tij një alternativë të re tregon një pjekuri të re politike të zgjedhësve të këtij vendi pas 10 vjetë pluralizmi. Mendoj pikërisht se përqafimi i kësaj alternative të re përbën edhe risinë në këto zgjedhje krahas aspekteve të tjera.

VOA-Zoti Pollo, së bashku partia juaj dhe koalicioni për fitoren, kanë fituar pothuajse përqindje të barabartë me Partinë Socialiste (42%). Si do të pergjigjeshit ju zërave se mosmarrëveshjet në rradhët e forcave të djathta po i siguron Partisë Socialiste edhe një mandat tjetër 4-vjeçar?

Genc Pollo-Unë mendoj se fakti që ne dolëm si një forcë e veçantë në zgjedhje, si një parti serioze e qendrës së djathte dhe si prezantuese serioze e alternativës së re, bëri që ndryshe nga tentativat e mëparshme, rreth Partisë Demokrate të mblidheshin mbi 5% e konsensusit popullor dhe e votave të zgjedhësve shqiptarë. Besoj se kjo nuk do të ndodhte nëse ne do të humbisnim identitetin tonë me një grupim tjetër ashtu siç ndodhi me partitë e tjera satelite. Dhe si do të operohet me mandatin tonë dhe ku do të shkojnë votat tona, këtë do ta vendosim në të ardhmen. Por unë gjykoj që ne do t’i mbetemi besnik këtij mandati për të sjellë diçka të re në politikën shqiptare, dhe për të vazhduar atë fillimin e ndryshimit pozitiv në skenën politike shqiptare përkundrejt atyre 10 viteve që megjithëse ishin demokratike dhe ishin pluraliste, prapë demonstruan një politikë e cila nuk i shërbente progresit në vend sepse i mëshonte më shumë konfliktit dhe luftës pa princip.

VOA- Zoti Pollo, po flitet shumë për mundësinë e krijimit të aleancave politike. Cili do të jetë raporti i partisë tuaj ndaj Partisë Socialiste dhe ndaj Partisë Demokratike dhe çfarë qëndrimi do të mbani në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të zhvillohen këtë të dielë?

Genc Pollo-Mendoj që këto gjëra do të diskutohen në tryezë dhe Partia Demokrate do të mbajë qëndrim në përputhje me programin e saj dhe me përcaktimin e saj si një forcë e qendrës së djathtë. Dhe mendoj që ka qënë në platformën tonë zgjedhore një mospërfshirje me një qeveri të udhëhequr nga Partia Socialiste. Ndërkohë që për raundin e dytë në ballotazh ne nuk kemi marrë një qëndrim të përcaktuar, as nuk na është kërkuar një qëndrim i tillë. Pritet të shohim cfarë do të ndodhi ditët në vijim, sidoqoftë për cilësinë e zgjedhjeve është me vend të ndalemi; ka qenë një fushatë më e qetë dhe më e ekuilibruar por dita e votimit, proçesi i numërimit nuk ka shënuar një rritje cilësore. Ka vuajtur Partia Demokrate sepse përfaqësuesit e saj në qendrat e votimit janë përzënë dhe votat tona në mënyrë masive janë deklaruar të pavlefshme. Kjo si nga komisionerët e Bashkimit për Fitore, ashtu edhe nga ata të Partise Socialiste. Dhe dëgjuam pak më parë njoftimin nga Tirana. Une mendoj që është gjë pozitive nëse ata komisionerë, ata zyrtarë zgjedhorë që kanë manipuluar dhe kanë mashtruar me votën të vihen përballë përgjegjësisë ligjore në mënyrë që gjëra të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

VOA-Po në qoftë se do t’ju bëhej ftesë nga socialistët për të marrë pjesë në qeveri, çfarë qëndrimi do të mbani ju?

Genc Pollo-Duke gjykuar dhe duke parë katër vitet që shkuan, mendoj se Partia Socialiste në pushtet u bë arrogante dhe abuzive edhe pse nuk kishte një opozitë serioze që ta kundërshtonte atë si duhet në rrugë demokratike. Mendoj që mbetet për t’u parë se kush do të siguroj shumicën e mandateve. Por në rast se Partia Socialiste e cila duket se ka një avantazh në proporcional, ka 400 më shumë se Bashkimi për Fitore, do të siguronte një mandat vetëm apo me aleatët, vendit dhe demokracisë në Shqipëri do t’i shërbente më shumë duke dhënë imazhin e një opozite serioze dhe profesionale. Besoj se kjo i takon Partisë Demokrate.

VOA-Zoti Pollo, ju faleminderit!

XS
SM
MD
LG