Lidhje

Kalendari historik i datës 5 korrik - 2001-07-05


Më 5 korrik, 1935 presidenti Franklin Roosevelt nënshkroi duke i dhënë formën e ligjit, Aktin Kombëtar të Marrëdhënieve me Fuqinë Punëtore. Ky ligj është konsideruar si një arritje e rëndësishme në fushën e të drejtave të punëtorëve. Ai garantonte të drejtën e punëtorëve për t’u bashkuar në sindikata. Në bazë të ligjit krijohej Bordi Kombëtar i Marrëdhënieve të Punës, që do të hetonte akuzat për praktika punësimi të pahijshme. Pas miratimit të ligjit, sindikatat mbështetën kandidaturën e presidentit Roosevelt për t’u rizgjedhur në zgjedhjet presidenciale të 1936-ës. Sindikatat ndihmuan gjithashtu Partinë Demokrate të kishte një shumicë dërrmuese në çdo nivel qeverie. Ligji u kritikua nga shumë punëdhënës, sipas të cilëve qeveria kishte ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në të drejtat e tyre. Më 5 korrik 1948 kompania Bell Telephone Laboratories mori patentën për shpikjen e transistorit, një pajisje që ndryshoi rrënjësisht elektronikën. Transistori i parë ishte më i vogël sesa thoi i gishtit të dorës, i fortë dhe i efektshëm. Ai ishte projektuar si një zëvendësues i lirë i llampave të mëdha të sistemit të centraleve telefonike të kompanisë Bell. Historiani i shkencës dhe fituesi i Çmimit Pulitzer, Robert Bruce, thotë se transistori ushtroi në shoqëri po atë ndikim që kishte ushtruar edhe Revolucioni Industrial. Zhvillimet e mëtejshme në fushën e elektronikës, si mikroprocesori, kanë shtyrë më përpara zvogëlimin e përmasave dhe kompleksitetin e kompjuterëve, të telefonave, radiove, televizorëve dhe shumë pajisjeve të tjera.

XS
SM
MD
LG