Lidhje

Kosovë: masa disiplinore ndaj oficerëve të TMK-së - 2001-07-05


Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Agim Çeku, ka njoftuar për ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj pesë oficerëve të lartë të këtyre trupave të cilët, me një vendim të presidentit amerikan Xhorxh Bush, janë përfshirë në një listë kufizimesh. Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i zotit Çeku thuhet se “të pesë oficerët kanë marrë vërejtje me shkrim, është ndaluar avancimi i tyre për një vit dhe u janë zbritur pagat mujore për 25 për qind”. Këto masa, siç thuhet janë ndërmarrë pasi Shtabi i Përgjithshëm "ka shqyrtuar me vëmendje situatën e krijuar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për ndalim të transaksioneve dhe hyrjes në këtë vend të pesë oficerëve të saj të lartë, si dhe rrjedhimet që mund të ketë kjo masë për zhvillimin e mëtejshëm të trupave mbrojtëse”. Kjo çështje ndërkaq ishte temë diskutimesh në takimet ndërmjet Administratorit të Kombeve të Bashkuara Hans Haekkerup, komandantit të forcave paqeruajtëse Torstein Skiaker dhe gjeneral Agim Çekut. Zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Suzan Manuel tha se aktualisht po punohet në hartimin e një qëndrimi më të qartë të autoriteteve ndaj kësaj çështjeje. Ajo tha se “janë kërkuar informacione plotësuese nga qeveria e Shteteve të Bashkuara që duket se ka informacione nga shërbimet e zbulimit”. Autoritetet i kanë marrë shumë seriozisht këto njoftime dhe janë duke zhvilluar hetime të nevojshme për oficerët e Trupave Mbrojtëse por edhe për përfaqësuesit e partive politike të cilët janë përfshirë në atë që ajo e quajti “listë të zezë”.

Nga ana tjetër Administratori i Kombeve të Bashkuara Hans Haekkerup është shprehur në favor të tërësisë tokësore të Kosovës. Ai i ka bërë këto komente pas njoftimit se qeveria e Beogradit e ka emëruar zëvendëskryeministrin serb Nebojsha Çoviç në postin e koordinatorit për Kosovën, duke e arsyetuar këtë vendim me siç thuhet, “suksesin e zotit Çoviç në zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës”.

Zëdhënësja Manuel tha se çështjet e rënda siç është problemi i Mitrovicës mund të përfitojnë nga një ndermjetësues nga Beogradi që do të ishte i përkushtuar për bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe udhëheqësit vendorë për gjetjen e zgjidhjeve, mirëpo ka tërhequr vërejtjen se ekziston një dallim i madh ndërmjet Luginës së Preshevës dhe çështjes së Kosovës. Ajo citoi shefin e saj Z. Haekkerup të ketë nënvizuar se “bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë strukturat paralele në Kosovë, ndërsa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i jep mandatin misionit që të administrojë Kosovën si një territor të bashkuar.

XS
SM
MD
LG