Lidhje

Kroaci: Qeveria vendos të ekstradojë personat e akuzuar nga Gjykata e Hagës - 2001-07-06


Qeveria kroate ra dakord të arrestojë dhe dorëzojë personat e akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë. Vendimi u mor megjithë dorëheqjen e njëri prej zëvendës-kryeministrave si dhe 3 anëtarëve të tjerë të kabinetit gjatë një takimi të ndezur që zgjati 10 orë.

Kryeministri kroat Ivica Raçan tha pas takimit se Kabineti i tij ka rënë dakort të ekstradojë 2 zyrtarë kroatë ndaj të cilëve janë ngritur padi nga Gjykata e Hagës.

Megjithëse emrat e tyre nuk janë bërë publikë, agjencia shtetërore e lajmeve HINA njofton se fjala është për gjeneralin në pension Ante Gotovina dhe gjeneralin nga Kosova Rahim Ademi. Gjeneral Gotovina ka qenë komandant në vitin 1995 kur qindra serbë u vranë gjatë një ofensive kroate për të rimarrë tokat që serbët kishin futur nën kontroll 4 vjet më parë.

Ndërsa gjenerali Rahim Ademi mendohet të ketë pasur gisht në vrasjen e dhjetëra serbëve gjatë sulmeve të vitit 1993 në Kroacinë qendrore.

Këto janë dy akt-paditë e para që Gjykata e Kombeve të Bashkuara ngre ndaj zyrtarëve kroatë dhe analistët kanë paralajmëruar se ekstradimi i tyre në Hagë nuk do të jetë i lehtë.

Kur kryeministri Raçan bëri të ditur vendimin për t’i ekstraduar dy të pandehurit si dhe katër persona të tjerë të akuzuar, katër ministra, përfshirë edhe zëvendës-kryeministrin Goran Graniç dhanë dorëheqjen në shenjë proteste.

Shumë veteranë të luftës në Kroaci kanë kërcënuar se do të përdorin të gjitha mjetet për të penguar ekstradimin e personave të akuzuar, të cilët ata i quajnë heronj.

Duke folur para gazetarëve pas takimit të Kabinetit, kryeministri Raçan tha se do t’i kërkonte Parlamentit një votë besimi. Zoti Raçan theksoi se qeveria e tij reformiste do të jepte dorëheqjen nëse ai humbet votëbesimin. Ai tha se Kabineti i tij votoi në favor të dorëzimit të dy akt-padive të pahapura në Ministrinë e Drejtësisë, gjë që, siç u shpreh ai, ishte në përputhje të plotë me ligjin kroat të vitit 1996 për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës.

Vendimi u mor pasi kryeprokurorja e Gjykatës së OKB-së, Karla del Ponte shkoi të premten në Zagreb për të nxitur qeverinë kroate të dorëzonte personat për të cilët u paraqitën akt-paditë muajin e kaluar. Zonja del Ponte tha se e kuptonte ngurrimin e qeverisë për të vepruar, por theksoi se dorëzimi i personave të dyshuar si kriminelë lufte është prova e vërtetë për çdo qeveri.

Komentet e zonjës del Ponte u interpretuan si aludim ndaj vendimit të udhëheqjes serbe për të dorëzuar në Hagë ish presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç.

XS
SM
MD
LG