Lidhje

Intervistë me kryetarin e KQZ pas raundit të dytë të zgjedhjeve - 2001-07-09


VOA: Zoti Celibashi, si e vlerësoni zhvillimin e turit të dytë të zgjedhjeve.

Celibashi: Mund të thuhet se në dallim me turin e parë të zgjedhjeve, proçesi zgjedhor i zhvilluar në raundin e dytë ka kaluar në mënyrën më të qetë dhe më normale, ndoshta kjo edhe për faktin që nga pikpamja numerike ky proces zgjedhor ishte më i vogël se ai që u zhvillua në raundin e parë. Po gjithsesi u vu re edhe një bashkëpunim më i mirë i komisioneve zonale me KQZ pasi në ato raste në të cilat këto komisione patën probleme dhe sollën diskutime ndërmjet anëtarëve të komisioneve zonal zgjedhor, u dërguan informacionet përkatëse në komisionin qëndror të zgjedhjeve dhe ky i fundit mori vendimin mbi bazën e këtyre problemeve që u parashtruan nga komisionet zonale zgjedhore dhe ka dërguar njerëzit e vet, inspektor ose anëtar të KQZ-së të zgjedhin këto probleme. Në tërësi ky proçes ka shkuar normalisht përjashto zonën zgjedhore 86 në Korçë ku ky proçes nuk u zhvillua për shkak të konfliktit që kishte atje ndërmjet kryetarit dhe nënkryetarit, si dhe faktit që atje ishin një numër çift përbërja e komisionit zonal zgjedhor, ishin 6 veta dhe nuk mundën të merrnin asnjë lloj vendimi. Në zonën zgjedhore 49 në Peqin ku u zhvillua proçesi zgjedhor në rreth 18 qendra votimi dhe atje për shkak të konfliktit që ekziston ndërmjet kryetarit dhe nën kryetarit të komisionit nuk u zhvillua proçesi zgjedhor në zonën 4, në ato qëndra ku ishte vendosur për tu përsëritur ky proçes zgjedhor pasi 4 anëtar të komisionit zonal zgjedhor atje nuk pranuan që të merrnin në dorëzim bazën materiale të këtij komisioni. Në zonën zgjedhore 22 nuk u zhvillua proçesi zgjedhor në një qendër votimi edhe atje pasi pati konflikt ndërmjet anëtarëve të komisionit zonal të qendrës së votimit dhe në të tëra këto pjesë të proçes zgjedhor në të cilat ky proçes nuk u realizua, KQZ do të bëj vlerësimet përkatëse dhe do të marr vendimin për më tej si do vazhdoj.

VOA: Megjithatë nga opozita shqiptare ka patur denoncime për parregullsi të shumta në zhvillimin e procesit. Ju si do ju përgjigjeshit këtyre akuzave?

Celibashi: Unë mendoj që KQZ vlerëson që çdo pretendim ose çdo kërkesë apo çdo ankesë që do ti paraqitet këtij komisioni duhet të vij mbi bazën e fakteve të cilat i provojnë këto pretendime, qoftë opozitës qoftë edhe të subjekteve të tjerë zgjedhor. Deri tani pranë KQZ kanë ardhur disa ankesa ose kërkesa lidhur me mënyrën se si ka shkuar proçesi zgjedhor por në të gjitha këto nuk ka patur asnjë rast të vetëm prova që të tregojnë që ajo çfarë pretendohet aty është e vërtetë.

VOA: Zoti Celibashi, përveç procesit të votimit është edhe pjesa tjetër e numërimit të votave dhe kalimi i rezultateve nga komisionet zonale. Në raundin e parë në këtë proçes u vunë re shumë probleme për shkak të mosmarrëveshjeve të anëtarëve të komisioneve. Si ka shkuar ky proces në këtë raund të dytë sepse dhe për këtë opozita ka sërisht vërejtje.

Celibashi: Po mendojmë që deri në momentin që flasim ky proces po shkon normalisht. Nuk ka patur probleme, nuk kemi as informacione apo kontestime nga subjektet zgjedhor dhe shpresoj që thirrja e vazhdueshme që KQZ i ka drejtuar qoftë anëtarëve të komisioneve zonal zgjedhor apo atyre të qëndrave të votimit, apo qoftë edhe partive politike mbi përgjegjshmërinë që duhet të tregojnë anëtarët e këtyre komisioneve, besoj që do ta ketë dhënë efektin e vetë. Po kështu beso që efekt duhet të kenë patur edhe masat organizative që ka marr KQZ për të mbarëvajtur edhe proçesin e numërimit të votave, po kështu edhe masat që ka marrë KQZ për penalizimin e disa anëtarëve të komisioneve të zonave zgjedhore apo të qëndrave të votimit, besoj që do ta kenë dhënë efektin e vet dhe besoj që ky proçes do të shkoj më mirë seç shkoi në raundin e parë të zgjedhjeve.

VOA: Kur mund të jepen rezultatet e këtij raundi dhe kur do të zhvillohen zgjedhjet në ato zona ku votimi nuk u krye?

Celibashi: Shpresojmë që rezultatet të vijnë në orët e para të mëngjesit të datës 9 dhe nga informacionet telefonike që kemi nga komisionet zonale na është bërë me dije që një pjesë e tyre janë të gatshëm që ta sjellin që në orët e para të mëngjesit bazën materiale dhe proçesverbalet. Lidhur me pyetjen se kur do të zhvillohen zgjedhjet në ato zona ku nuk u zhvillua ky proçes, mendoj që kjo do të vlerësohet nga KQZ ndoshta që nesër (9 korrik) dhe besoj që ndoshta edhe këtë javë apo ndoshta edhe javës tjetër pasi deri në 4 javë ligji e lejon që në këtë periudhë mund të bëhen zgjedhjet besoj që do të organizohet proçesi zgjedhor.

VOA: Zoti Celibashi shumë faleminderit.

XS
SM
MD
LG