Lidhje

Kthehen refugjatët nga Kosova në Maqedoni - 2001-07-09


Megjithë armëpushimin e brishtë, mijëra qytetarë të zhvendosur nga ish republika Jugosllave e Maqedonisë po vazhdojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, njofton Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë. Sipas zëdhënëses së kësaj agjencie Astrid van Genderen Stort mbi 8 mijë e 800 persona të strehuar në Kosovë janë kthyer duke lënë prapa edhe mbi 64 mijë të zhvendosur. Ajo pohon se pjesa më e madhe e të kthyerve janë nga Shkupi me rrethinë, ndërsa policia maqedone po lejon kthimin vetëm të atyre që kanë pasaporta të vlefshme. Zonja van Gendern Stort theksoi se “agjencia e saj është duke përcjellë nga afër kthimin e të zhvendosurëve dhe po diskuton me autoritetet maqedone cështjen e kthimit të atyre që nuk kanë pasaporta”.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë njëkohësisht po punon në sigurimin e strehimit për ata që janë penguar të rikthehen në Maqedoni. Pjesa më e madhe e të kthyerve po kalojnë nëpërmjet vendkalimit kufitar në Han të Elezit, ndërsa lëvizjet nëpërmjet vendkalimit në Gllobocicë që qon drejt Tetovës janë shumë të pakta, meqë sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara fillimisht ajo ishte e mbyllur për shkak të pranisë së forcave maqedone të sigurimit, luftëtarëve të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare si dhe civilëve maqedon të armatosur me “kallashnjikov”.

Ndërkaq forcat paqërujatëse në Kosovë u bënë thirrje të zhvendosurëve nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë që të jenë të kujdesshëm gjatë kthimit të tyre për shkak të fushave të minuara. Për këtë arsye KFOR-I u bënë thirrje atyre që të kthehen nëpër vendkalimet kufitare zyrtare, ndërsa mbështetë përjekjet e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të bindur autoritetet maqedone që të lejojnë kthimin e tyre...

XS
SM
MD
LG