Lidhje

Intervistë me zv/kryetarin e PPD në Maqedoni - 2001-07-09


VOA: Zoti Pollozhani, bisedimet e sotme midis 4 partive të koalicionit qeveritar, presidentit Trajkovski dhe 2 të të dërguarve ndërkombëtar u quajtën si të suksesshme, ndërkohë që dje partitë shqiptare e quajtën të papranueshëm planin e paqes. Çfarë ka ndryshuar sot nga dje?

Pollozhani: Ne mendojmë që akoma nuk kemi të drejtë të themi se ka ndryshuar diçka e madhe nga dje. Ne akoma mbesim në mendimin që thamë edhe dje se megjithatë dokumenti i propozuar nuk përmban ato çështje që duhet të zgjidhen të cilat neve i kemi parashtruar në kërkesat tona dhe që në fakt kanë qënë çështje mbi të cilat është ndërtuar tensioni afatgjatë 10 vjeçar në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve dhe tension ky që në kohën e fundit rezultoi edhe me një konflikt të armatosur. Pra çmojmë se përderisa në dokument nuk janë të gjetura zgjidhjet, nuk janë të inkorporuara solucionet të cilat do ti tejkalonin këto çështe të cilat deri tani kanë qenë burim i konfliktit mendojmë që dokumenti nuk mund të quhet si i pranueshëm.

VOA: Zoti Pollozhani cilat janë ankesat kryesore që keni ju ndaj planit ndërkombëtar për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve?

Pollozhani: Duke u nisur edhe nga ajo që thashë më parë, pra ato çështje të cilat kanë tensionuar raportin në një kohë të gjatë dhe së fundi çuan në konflikt edhe për popullin janë të njoftura se ato çështje janë përdorimi adekuat dhe i barabartë i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, e dyta gjetja e mënyrës për të mundësuar që edhe shqiptarët të kenë shkollim të lartë superior pra të bazuar në buxhetin e Republikës së Maqedonisë si çështje e barazisë së qytetarëve të saj dhe e treta mekanizma për mbrojtje nga mbivotimi mbi bazë nacionale për disa çështje të cilat gjatë kësaj periudhe gjithmonë i kanë prurë raportet midis shqiptarëve dhe maqedonëve në buzë të konfliktit. Neve e dimë se sistemi demokratik bazohet në konsensusin për vlera të caktuara dhe ajo që kërkojmë ne në esencë është që çështje të këtij konsensusi të jenë edhe disa vlera të tjera që burojnë nga specifikat e këtij shteti, gjithësisht vlera që garantojnë stabilitet të qëndrueshëm të një shteti multietnik sepse në se në një shoqëri multieknike vazhdon të dominojë koncepti monoetnik domosdo që tensionet do të mbesin dhe konfliktet do ushqehen. Zgjidhje të imponuara janë gjithmonë të përkohëshme prandaj shpresojmë se mbas sqarimeve dhe argumentimit tonë të sotëm në komisionin e ekspertëve të mbështetura me argumenta të fuqishme do të gjendet mënyra që të gjendet zgjidhje adekuate për këto çështje në mënyrë që zgjidhja që do të jetë pjesë e marrëveshjes, të jetë faktor i stabilitetit dhe faktor i tejkalimit të krizës dhe të luftës në Republikën e Maqedonisë dhe jo çështjet të ngelin dhe vetëm të shtyen për një periudhë tjetër sepse një gjë e tillë për ne do të ishte e papranueshme.

VOA: Zoti Pollozhani ndryshimet që ju i quani të pamjaftueshme për palën tjetër mund të jenë të tepruara. A janë të përgatitur shqiptarët për kompromis pra që të pranojnë edhe më pak sesa kërkesat e tyre maksimale.

Pollozhani: Po unë mendoj që kërkesat tona në asnjë mënyrë nuk mund të quhen maksimale sepse neve jemi pajtuar që të përfaqësojmë interesin që Maqedonia të mbetet si shtet pa vija ndarëse si në mes të saj domethënë në vija etnike po ashtu edhe në tërësinë e saj territoriale dhe në të të realizojnë shqiptarët të drejtat e tyre. Po ashtu interesi jonë strategjik është që Maqedonia të konsolidohet si shtet demokratik dhe të ketë orientim euroatlantik. Këto janë kërkesat bazë pra të synimeve tonë. Dhe në qoftë se mbi këtë bazë ka nevojë për ndonjë konsensus i cili do ta forconte këtë përcaktim, mendoj që ne jemi të gatshëm. Por konsensus i cili do ti çonte punët në drejtim të kundërt dhe do të lejonte që tensionet të mbeteshin gjallë në mes të raporteve midis shqiptarëve dhe maqedonëve mendoj që nuk do të ishte shërbim i mirë edhe për Maqedoninë edhe për stabilitetin në rajon.

VOA: Zoti Pollozhani ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG