Lidhje

Ambasadori Pardew për krizën në Maqedoni. - 2001-07-10


VOA: Zoti Ambasador a mund të na bëni një vlerësim të procesit të bisedimeve deri tani? Sa larg janë të dy palët, shqiptarët dhe maqedonasit nga njeri tjetri?

J.P. Është interesante të bëjmë fillimisht një krahasim me atë ku ishim para një jave, kur vendi ishte në prag të luftës civile. Sot kemi një armëpushim që po respektohet dhe një proces dialogu që po vazhdon. Dsikutimet janë të vështira, palët kanë ndryshime thelbësore me njera tjetrën, por ato janë angazhuar në mënyrë konstruktive në bisedime dhe shpresojmë që procesi të përparojë me shpejtësi. Kjo është e vështirë, por jo e pamundur.

VOA: Kur ju thoni shumë shpejt, a bëhet fjalë për ditë apo javë?

J.P. Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e prishjes së armëpushimit. Ai po respektohet tani. Dhe sa më shpejt të ecim ne me bisedimet, aq më shumë i largohemi gjendjes së luftës, të cilën duam ta shmangim. VOA: Zoti Ambasador nga takimet e deritanishme, a mendoni se përfaqësuesit politikë nga të dyja palët, janë gati të bëjnë kompromise të vështira?

J.P. Kompromiset janë gjithmonë të vështira për përfaqësuesit e grupeve të ndryshme. Por ajo ku duhet ta përqëndrojnë vëmendjen ata tani është në se duan luftë apo paqe, në se duan një shoqëri demokratike, apo një shoqëri jo aq demokratike. Por më në fund mendoj se udhëheqësit do të marrin vendime të drejta.

VOA: Disa politikanë shqiptarë e kanë kritikuar planin që po diskutohet, duke thënë se nuk u jep atyre të drejta të mjaftueshme. A mund të na jepni disa hollësi, se çfarë parashikon plani për komunitetin shqiptar?

J.P. Dihet se kur zhvillohen bisedime, palët asnjëherë nuk janë të kënaqura me atë që u ofrohet. Nuk më shqetëson mënyra se si shtypi po i mbulon taktikat e negociatave. Ka disa propozime që shqiptarët do t’i pëlqejnë, ka të tjera që ata nuk do t’i pëlqejnë. Por ne mendojmë se po tregohemi të drejtë dhe po veprojmë në interes si të komunitetit shqiptar ashtu edhe të komunitetit maqedon për të shmangur luftën.

VOA: Zoti Ambasador UÇK-ja nuk është përfshirë në bisedime. A është realiste të arrihet një marrëveshje pa pjesëmarrjen e UÇK-së dhe çfarë parashikon plani për UÇK-në?

J.P Ne nuk po bisedojmë me UÇK-në, ne po bisedojmë me përfaqësuesit e zgjedhur të komunitetit shqiptar. Tani nuk më shqetëson UÇK-ja, shqetësimi im tani ka të bëjë që përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë të punojnë në mënyrë konstruktive me qeverinë maqedonase, me të dërguarit amerikanë dhe të dërguarit evropianë për të arritur një marrëveshje paqeje.

VOA: Në shtypin maqedonas janë dhënë disa informacione se është zhvilluar një takim midis jush, të dërguarit evropian dhe përfaqësuesve të UÇK-së. A mund të na i konfirmoni këto zëra?

J.P Absolutisht nuk është zhvilluar asnjë takim me dikë që ka lidhje me UÇK-në. Me zotin Leotard shkuam të djelën në kampin Bondsteel për t’u takuar me përfaqësuesit amerikanë që veprojnë në kuadër të Natos në Kosovë për të marrë vlerësimin e tyre se sa kanë qënë në gjendje të bllokojnë lëvizjet e luftëtarëve dhe armëve nga Kosova në Maqedoni. Nuk është bërë asnjë takim midis nesh dhe UÇK-së dhe nuk do të ketë edhe në të ardhmen.

VOA: Zoti Pardew, t’i kthehemi edhe një herë bisedimeve, a jeni optimist se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti?

J.P. Unë po përpiqem të jem realist. Më duket se është e mundshme. Por po ashtu është edhe shumnë e vështirë.

VOA: Po të mendojmë skenarin më të keq. Në se nuk arrihet një marrëveshje, cila do të jetë e ardhmja e Maqedonisë? A do të rrëshqasë vendi drejt luftës civile?

J.P. Ky është një rrezik. Ne mendojmë se udhëheqësit e të dy grupeve e kuptojnë rrezikun me të cilin ndeshen dhe mendoj se ata janë të angazhuar për të bërë përpjekjet maksimale për të arritur një marrëveshje paqeje. Ne do t’i ndihmojmë në këtë drejtim. Por në fund të fundit është vendimi i tyre jo yni, në se ata do të zgjedhin rrugën e paqes apo të luftës.

VOA: Së fundi zoti ambasador cili është mesazhi juaj për përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas që janë përfshirë në bisedime?

J.P. Ata duhet të mendojnë për fatin e popullit të tyre. Ajo që u është propozuar është e drejtë dhe të kenë parasysh që ato që do të vendosin të jenë në interes të popullit të tyre dhe të demokracisë duke arritur të drejta të plota për gjithë banorët e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG