Lidhje

Skena politike pas zgjedhjeve - 2001-07-10


Në Shqipëri skena politike po zotërohet nga dy qëndrime krejtësisht të kundërta. Pas përfundimit të raundit të dytë socialistët po festojnë fitoren duke e konsideruar të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve. Ndërsa opozita vazhdon t’i mbetet kërkesës për përsëritjen e zgjedhjeve në ato zona ku sipas saj “rezultati u përcaktua nga dhuna e terrori”. Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtar ka gjetur përkrahjen e të dyja krahëve. Opozita e përshëndeti me entuziazëm, pasi në raport konstatoheshin një seri problemesh të cilat megjithëse konsideroheshin më tepër si “incidente të izoluara”, trajtoheshin si cështje serioze.

Ndërsa socialistët i mëshuan më shumë vlerësimit të përgjithshëm të misionit ndërkombëtar të vëzhguesve sipas të cilëve “zgjedhjet shënuan një progres drejt plotësimit të standarteve ndërkombëtare” dhe se “ato ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri”. Kryetari socialist Fatos Nano deklaroi se partia e tij është e angazhuar që “ të përmirësojë të gjitha ato aspekte ku vëzhguesit konstatuan mangësi”.

Socialistët shqiptarë tashmë mendojnë për Qeverinë e ardhshme. Kryetari Nano deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve “kanë siguruar jo vetëm vazhdimësinë e qeverisjes së vendit nga e majta” por se së bashku me aleatët, kjo parti arrin të kontrollojë edhe zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm. Zoti Nano tha se do të kërkojë bashkëpunimin edhe me opozitën për cështjet madhore të vendit siç janë ato të integrimit europian. Por opozita tani është e përqëndruar në mbledhjen e fakteve që dokumentojnë “manipulimin e zgjedhjeve”.

Koalicioni opozitar nuk ka përcaktuar ende se në sa zona do të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve dhe se kur do të dalë me një qëndrim përfudnimtar ndaj tyre. Nga ana tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më shumë se gjysmën e rezultateve të balotazhit dhe shumë shpejt pritet të bëjë shpalljen përfundimtare të tyre.

XS
SM
MD
LG