Lidhje

Kalendari historik i datës 11 korrik - 2001-07-11


Më 11 korrik 1767, avokati nga shteti Massachusetts, John Adams dhe bashkëshortja e tij, lindën një djalë, John Quincy Adams. Derisa George W. Bushi, siguroi Shtëpinë e Bardhë këtë vit, dy mandate pasi i ati kishte shërbyer si president i vendit, John Adams dhe John Quincy Adams, ishin të vetmit babë e bir, që patën shërbyer si presidentë të Shteteve të Bashkuara. I konsideruar si një nga themeluesit e kombit, John Adams, i Madhi, ishte presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1797 deri në vitin 1801. I biri, John Quincy Adams, shërbeu në një numër postesh të rëndësishme diplomatike, pasi Shtetet e Bashkuara fituan pavarësinë nga Anglia. Presidenti James Monroe, e emëroi John Quincy Adams, Sekretar Shteti më 1817. Ai u zgjodh presidenti i gjashtë i Shteteve të Bashkuara, pas presidentit Monroe, më 1825. Pasi përfundoi mandatin presidencial, John Quincy Adams u zgjodh anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i tij i lindjes, Massachusetts. John Quincy Adams shërbeu në Kongres për 17 vjet, derisa vdiq në vitin 1848, në moshën 80 vjeçare. Më 11 korrik të vitit 1954, një grup prej 75 burrash u mblodhën në qytetin Indianola të shtetit Mississippi për të diskutuar mbi mënyrat për të luftuar integrimin racial të shkollave. Takimi në këtë shtet jugor, ku dallimi racial ishte më i theksuar se kudo gjetkë, u zhvillua 2 muaj pas vendimit të gjykatës së lartë lidhur me çështjen Brown kundër Bordit të Arsimit. Ky vendim do të bëhej bazë për vendime të tjera në të ardhmen që çuan në integrimin racial të shkollave në Amerikë. Burrat e mbledhur në Indianola krijuan këshillin e qytetarëve të bardhë, që propagandonte superioritetin e racës së bardhë dhe përdorte trysninë ekonomike mbi ata që nuk donin të luftonin kundër integrimit. Në vitet 1960 ndikimi i shoqatave të tilla të bardhësh ra dukshëm, ndërsa në vitet 1980, këshillat e qytetarëve të bardhë nuk ishin më një faktor për të penguar përparimin e integrimit racial në jugun e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG