Lidhje

6 vjetori i masakrës së Srebrenicës - 2001-07-11


Pikërisht gjashtë vjet më parë më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës sprapsën paqeruajtësit hollandezë të armatosur lehtë dhe futën nën kontroll zonën e sigurtë të Srebrenicës, një qytet në afërsi të kufirit lindor të Bosnjës. Trupat serbe të Bosnjës me shpejtësi mblodhën mijëra civilë myslimanë. Burrat dhe djemtë u ndanë nga familjet u tyre. Sipas hetuesve ndërkombëtarë mbi krimet e luftës, rreth 7 deri në 8 mijë prej tyre u ekzekutuan në masakra sistematike.

Trupat e viktimave u hodhën në varre masive, ku ende edhe sot gjenden eshtrat e disa prej tyre. Që nga përfundimi i Luftës së Bosnjës, hetuesit ndërkombëtarë dhe Komisioni Mysliman për Personat e zhdukur kanë nxjerrë eshtrat e afro 5 mijë viktimave. Por kanë mundur të identifikojnë vetëm rreth 100 trupa.

Patologu Zlatan Sabanovic i cili punon me ekipin e identifikimit thotë se ky program përdor të dhëna A-D-N-je për të përcaktuar identitetin e viktimave. Ai thotë se procesi është tepër i ngadaltë, pjesërisht pasi serbët e Bosnjës i rihapën varret masive dhe i zhvendosën trupat në varre të tjera:

Ata përdorën buldozerë për të hapur varret dhe për të fshehur të gjitha të dhënat. Në disa qese gjetëm trupa të plotë, por në disa të tjera vetëm fragmente skeletesh. Kjo gjë përbën problem. Shpresojmë se analizat e A-D-N-së do të na ndihmojnë të identifikojmë disa prej viktimave - tha zoti Savanovic.

Rrotull Srebrenicës sot ishin vendosur masa të rrepta sigurie, ndërkohë që të afërmit e viktimave mbërritën për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore. Paqeruajtësit e NATO-s si dhe policia serbe e Bosnjës ishin në gjendje gatishmërie për të parandaluar dhunën ndër-etnike.

Pesë gra, burrat dhe djemtë e të cilave u vranë në masakër, zbuluan një pllakë përkujtimore prej mermeri kushtuar viktimave të masakrës. Përkujtimorja është ngritur në një fushë, ku të afërmit shpresojnë se një ditë do të prehen në qetësi eshtrat e viktimave.

XS
SM
MD
LG