Lidhje

Powell dhe Straw për situatën në Maqedoni - 2001-07-12


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell dhe homologu i tij britanik, Jack Straw diskutuan dje këtu në Washington, mbi situatën në Maqedoni dhe u bënë thirrje udhëheqësve politikë në Shkup që të vazhdojnë bisedimet e paqës. Zoti Straw tha se mënyra e vetme për të ecur përpara është zhvillimi i negociatave.

Sekretari Powell vuri në dukje përparimin e arritur javët e fundit, megjithëse të dyja palët kanë theksuar me vendosmëri pozitat e tyre. Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell priti dje sekretarin e jashtëm britanik Jack Sraw, duke e cilësuar vizitën e tij “si një shenjë të marrëdhënieve të fuqishme dhe të veçanta që kanë Shtetet e Bashkuara me Britaninë e Madhe.” Dy zyrtarët u thanë gazetarëve se ata kanë në plan të diskutojnë disa aspekte që preokupojnë të dyja vendet - përfshirë këtu edhe Maqedoninë. Zoti Straw tha se armëpushimi i arritur kohët e fundit dhe bisedimet midis zyrtarëve qeveritarë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve kanë krijuar një situatë më të mirë nga ajo që mbizotëronte dy javë më parë. “Shqiptarët dhe maqedonët sllavë, kanë rënë dakord në kuadër të procesit të paqes, se masat e mara në bazë të propozimeve të ekspertit kushtetues Badinter, dhe mbi të gjitha sistemet demokratike kushtetuese të qeverisjes, janë mënyra e vetme për të ecur përpara. Dhe së dyti, dhe po aq e rëndësishme, është se ata pranojnë që tërësia teritoriale e Maqedonisë duhet të ruhet” tha zoti Straw. Zoti Powell nga ana e tij ra dakord me homologun e tij britanik dhe u shpreh se ai pret që një marrëveshje politike t’u japë fund luftimeve.

XS
SM
MD
LG