Lidhje

Karta e Zërit të Amerikës - 2001-07-13


Në kartën e Zërit të Amerikës thuhet se kjo radio duhet të shërbejë si një burim i besueshëm dhe autoritativ informacioni. Lajmet e saj duhet të jenë të sakta, objektive dhe të shumanëshme. Karta përcakton gjithashtu se Zëri i Amerikës duhet të pasqyrojë në mënyrë të balancuar dhe të gjithanëshme idetë dhe institucionet më të rëndësishme të Amerikës. Po ashtu, në kartë thuhet se politikat amerikane duhen pasqyruar në mënyrë të qartë dhe të efektëshme, po kështu edhe debatet apo opinionet rreth këtyre politikave.

Kjo kartë që jep orientimet themelore për gazetarinë e Zërit të Amerikës, u kthye në ligj në vitin 1976, pas një fushate intensive për të ruajtur integritetin e këtij institucioni nga disa forca që përpiqeshin ta shfrytëzonin atë për qëllimet e tyre. Në atë kohë, Lufta e Vietnamit, e cila e kishte ndarë mjaft vendin, po i afrohej fundit dhe kishte shpërthyer skandali i Uotergejtit. Zëri i Amerikës nuk mbeti pa u përfshirë në vorbullën e krijuar.

Në vitet 1974 dhe 1975, nga ambasadat e ndryshme në botë erdhën më shumë se 200 kabllograme me ankesa për Zërin e Amerikës. Disa ambasadorë nuk dëshironin që Zëri i Amerikës të fliste për vendin ku ata përfaqësoheshin.

Drejtori i redaksisë së lajmeve, Bernie Kamenske dhe gazetarë të tjerë, i kërkuan Kongresit që të sqarohej pozicioni i Zërit të Amerikës. Sipas tyre, kjo mund të arrihej duke kthyer në ligj direktivën e vitit 1959, e cila drejtonte veprimtarinë e Zërit të Amerikës deri në atë kohë.

Ishte e nevojshme një garanci zyrtare se Zëri i Amerikës do të ishte i saktë, objektiv dhe i gjithanshëm në mbulimin e lajmeve. Unë e bëra të qartë se direktiva e dhënë nga Presidenti Eisenhower nisej nga synime të mira por asaj i duhej dhënë forca e ligjit, për të mos lejuar ata që mund të përpiqeshin të ndikonin te Zëri i Amerikës.

Kërkesa e Kamensket u prit mirë në Kongres. Anëtari i Kongresit, William Cohen, i cili më vonë do të bëhej senator dhe sekretar i mbrojtjes, u shpreh kundër idesë që lajmet e Zërit të Amerikës të miratoheshin së pari nga ambasadorët në vendet e ndryshme. Me kthimin e kartës në ligj, Zëri i Amerikës dhe besueshmëria e tij u forcua më tej, thotë Alan Heil, i cili më vonë do të bëhej nën-drejtor i këtij institucioni.

Ky dokument është në fakt busulla e Zërit të Amerikës. Por ajo shërben edhe si mburojë sepse në vitet 70, kur karta u kthye në ligj, kishte përpjekje të ndryshme nga institucionet e politikës së jashtme, madje edhe nga qeveri të huaja si dhe nga vetë Kongresi, për të ndërhyrë në lajmet apo në analizat e Zërit të Amerikës.

Zoti Heil thotë se kthimi i Kartës në ligj i dha fund këtyre ndërhyrjeve në parim dhe në një masë të madhe edhe në praktikë, megjithëse lufta për misionin e Zërin e Amerikës vazhdon. Ashtu si edhe radiove të tjera ndërkombëtare, herë pas here Zërit të Amerikës i duhet të zgjidhë çështjen e ndarjes së diplomacisë nga gazetaria, gjë që nuk është e lehtë. Duke filluar nga 1 tetori i vitit 1999, Bordi i Guvernatorëve që drejton Zërin e Amerikës dhe që emërohet nga Presidenti, u kthye në një entitet të pavarur federal. Kjo në fakt e forcoi pavarësinë e Zërit të Amerikës, i cili financohet me fonde të buxhetit federal.

Karta udhëzon që Zëri i Amerikës të pasqyrojë politikat e Zërit të Amerikës por jo t’i reklamojë ato. Mirëpo ky dallim ndonjëherë është i vështirë të bëhet nga dëgjuesit, të cilët e kanë të vështirë të besojnë se një radio qeveritare mund të japë lajme që nuk janë miratuar më parë nga qeveria madje që kritikojnë qeverinë. Në këtë pikë, zotit Heil i pëlqen të citojë ish drejtorin e Zërit të Amerikës, Geoffrey Cowan:

"Nuk është e lehtë të kesh një institucion të financuar nga qeveria, të kontrolluar juridikisht nga qeveria, me një drejtor të emëruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, dhe që ky institucion të japë informacione të sakta, të balancuara dhe të shumanëshme. Njerëzit e kanë të vështirë ta besojnë", thotë zoti Heil. E megjithatë është e vërtetë, shton ai. Mjafton të dëgjoni Zërin e Amerikës.

XS
SM
MD
LG