Lidhje

Kalendari historik i datës 16 korrik - 2001-07-16


Më 16 korrik 1999, John Kennedy, gruaja e tij, Carolyn Bessette, dhe motra e saj, gjetën vdekjen kur aeroplani që ai drejtonte u përplas në det. Ata po shkonin nga New Jersey për në një vend pushimi në shtetin Massachusetts. Kennedy, i cili ishte 38 vjeç, u bë i famshëm që në fëmijëri, kur i ati u zgjodh president. Amerikanët e kishin ndjekur atë gjatë gjithë jetës, që kur ishte fëmijë dhe vraponte e luante në Shtëpinë e Bardhë, në shkollë, në punë dhe bile edhe në jetën e tij private. Para se të vdiste ai drejtonte revistën politike “George”, që e kishte themeluar vetë. Hetuesit federalë arritën në përfundimin se John Kennedy me sa duket humbi orientimin ndërsa po fluturonte mbi det në natën me mjegull. Trupat e viktimave u gjetën më 21 korrik, pesë ditë pas rrëzimit. Një ditë më pas, hiri i tyre u shpërnda në det me një ceremoni private të familjes në bordin e një destrojeri të marinës. Më 16 korrik 1964, senatori i Arizonës Barry Goldwater pranoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president. Senatori ishte emëruar një ditë më parë në kuvendin e partisë që ishte mbajtur në Kaliforni. Emërimi i tij shënoi rritjen e prirjeve konservatore brenda republikanëve, të cilët flisnin me përbuzje ndaj kandidatit të moderuar, guvernatorit të Pensilvanisë William Scranton. Në fjalimin e pranimit të emërimit, senatori Goldwater u tha delegatëve se ata që nuk do ta pranonin fushatën e tij konservatore do të mbeteshin prapa. Disa e quajtën atë ekstremist. Duke iu përgjigjur akuzave, ai tha: ”Do të desha t’ju kujtoja se të jesh ekstremist nuk është ves por as moderimi në zbatimin e drejtësisë nuk është virtyt”. Kjo deklaratë e tij shkaktoi shumë polemika. Në nëntor të atij viti, Barry Golwater i humbi me rezultat të thellë zgjedhjet presidenciale ndaj kandidatit demokrat Lyndon Johnson.

XS
SM
MD
LG