Lidhje

Lidhja midis diabetit dhe depresionit - 2001-07-16


Pas një studimi shumëvjeçar të diabetikëve me depresion, punonjësit shkencorë të Universitetit të Uashingtonit, në St. Louis të shtetit, Missouri, thonë se diabetikët mund të sëmuren nga depresioni më me lehtësi sesa mendohej më parë. Doktori Patrick Lustman, i katedrës së psikologjisë, të fakultetit të Mjekësisë, në Universitetin Uashington, thotë lidhur me studimin e kryer nga grupi i drejtuar prej tij:

“Kemi vënë re se në përgjithësi rreziku i shfaqjes së depresionit është dy herë më i madh tek ata që vuajnë nga diabeti. Dhe kjo përqindje është pak më e lartë tek pacientët klinikë sesa tek pacientët që jetojnë në komunitet”

Doktor Lustman ka zbuluar gjithashtu se depresioni ishte më i rëndomtë tek gratë me diabet sesa tek burrat. Por kjo, sipas tij, ndodh ngaqë tek gratë në përgjithësi, rreziku për depresion është më i madh sesa tek burrat, pavarësisht në se vuajnë apo jo nga diabeti. Doktor Lustman dhe kolegët e tij i bazojnë përfundimet e tyre në 42 studime, që janë botuar gjatë 25 vjetëve të fundit. Ndonëse shkalla e depresionit ndryshonte nga një studim në tjetrin, lidhja ndërmjet depresionit dhe diabetit mbetej e pandryshueshme.

Doktori Lustman thotë se lidhja midis diabetit dhe depresionit mund të punojë në dy drejtime. Jo vetëm diabeti mund të shkaktojë depresionin, por edhe vetë depresioni mund të shkaktojë diabetin që shfaqet shpesh tek të rriturit për shkak të mbipeshës. Vërejtje të ngjashme kanë bërë edhe mjekë të shoqatave të tjera mjekësore. Doktori Gregory Nichols, që punon pranë firmës së kujdesit shëndetësor, Kaiser Permanente, në Portland të shtetit Oregon, thotë se një në pesë diabetikë, që mbulohen nga kjo firmë, kanë pasur një periudhë depresioni brenda një dhjetëvjeçari, para se të diagnostikoheshin me diabet. Sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit, tri të katërtat e këtyre diabetikëve që kanë pasur një periudhë depresioni pikërisht në vitin para se të diagnostikoheshin me diabet, kanë vuajtur nga depresioni edhe herë të tjera gjatë dekadës pararendëse. Arsyeja e lidhjes ndërmjet depresionit dhe diabetit është akoma e paqartë. Disa ekspertë janë të mendimit se depresioni çon në rritjen e nivelit të hormoneve që shtojnë nivelin e sheqerit apo të glukozës në gjak. Nivelet e larta të glukozës janë një tregues i diabetit. Doktori Patrick Lustman u bën thirrje punonjësve të shëndetësisë që të tregohen të vëmendshëm për simptomat e depresionit tek pacientët e tyre diabetikë. Tek diabetikët me depresion, thotë ai, ka më tepër të ngjarë të shfaqen komplikacionet e diabetit, si sëmundja e zemrës, dëmtimi i nervave, mosfunksionimi i veshkave dhe verbëria.

XS
SM
MD
LG