Lidhje

Vdiq botuesja e gazetës The Washington Post - 2001-07-18


Katharine Graham, e përshkruar si gruaja më e fuqishme e Amerikës vdiq dje në Idaho në moshën 84-vjeçare. Për një farë kohë ajo ishte drejtorja-ekezekutive e kompanisë më të madhe, Fortune 500, që drejtohej nga një grua në Shtetet e Bashkuara. Zonja Graham ka qenë pronarja dhe botuesja e së përditshmes The Washington Post.

Katharine Graham lindi në New York më 1917 nga prindërit Eugene Meyer dhe Agnes. Ajo u diplomua në Universitetin e Çikagos më 1938. Më pas ajo filloi të punonte për gazetën, pronar i së cilës ishte i ati. Zoti Meyer e kishte blerë The Washington Post-in në vitin 1933. Atëherë, kjo gazetë ishte në prag të falimentimit. “Ishte e fundit gazetë në zonën e saj dhe shtypej në 50 mijë kopje. Ndodhej në një ndërtesë të vjetër gati në shkatërrim në Pensilvania Avenue, si dhe nuk kishte shumë aksione në bursë”

Zoti Meyer ia rriti cilësinë gazetës. Por në vitin 1948, kur ai doli në pension, nuk ia dorëzoi drejtimin e saj së bijës. Gratë nuk drejtonin biznese të tilla në atë kohë. Në vend të saj, frenat e gazetës iu dhanë bashkëshortit të Katerinës, Philipit.

“Babai me tha, dhe unë, sigurisht, e pranova se asnjë burrë nuk bën të punojë nën urdhërat e së shoqes”, do të tregonte më vonë ajo.

Philip Graham-it, i diplomuar në drejtësi në Universitetin Harvard, i atribuohet transformimi i ndërmarrjes nga një gazetë e respektuar, por financiarisht e paqëndrueshme, në një organ që luajti një rol tepër të rëndësishëm në fushën politike dhe atë të çështjeve civile në Washington. Nën pronësinë e gazetës u vunë edhe revista Newsweek dhe një numër stacionesh televizive.

Megjithatë, bashkëshorti i Katerinës ishte i sëmurë mendërisht, pasi vuante nga depresioni i thellë. Në vitin ’63 ai vrau veten. Katerina, përkundër mungesës së përvojës në drejtim, pohonte se ishte e vendosur që gazeta të vazhdonte të ishte pronë e familjes dhe ta drejtonte vetë atë. “Shkoja nëpër mbledhje të cilat do të hapeshin nga një burrë që, tepër i vetëdijshëm, na tërhiqte vëmendjen në këtë mënyrë: Zonjë dhe zotërinj, apo Zotërinj dhe zonja Graham! Gjithmonë do të veçohesha si diçka e pazakontë.” Nën drejtimin e Katerinë Graham, The Washington Post-i dhe kompanitë simotra vazhduan rrugën drejt begatisë dhe rritjes së tyre. Njëra nga ngjarjet që tërheq vëmendjen në kohën e drejtimit të zonjës Graham është mbulimi në fillim të viteve ’70 nga ana e gazetës i skandalit të Watergate-it. Një përpjekje për të thyer zyrat e Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate në kompleksin Watergate në Washington u hetua nga gazetarë të The Washington Post dhe ndjekja e këtij filli nga ana e tyre çoi drejt e në Shtëpinë e Bardhë që në atë kohë drejtohej nga presidenti Nixon. “Provonim një ndjesi çlirimi, kur faktet filluan të bëheshin publike dhe ne po ndjenim se kishim patur të drejtë. Por a ishim ne të kënaqur që detyruam presidentin e Shteteve të Bashkuara të jepte dorëheqjen për hir të historive të Watergate-it? Jo. Por ky rast provoi se demokracia amerikane ishte tepër e fortë dhe se mund ta tejkalonte këtë provë.” Katharine Graham e përshkruante vetveten si të turpshme dhe të pasigurtë kur pati marrë drejtimin e Washington Postit. Por praktika e saj në punë e sipër ishte sukses më vete. Me kohë, ajo u bë një anëtare e respektuar e komunitetit të gazeta-botuesve. Më 1998, autobiografia e saj fitoi çmimin Pulitzer. Ajo vdiq në moshën 84-vjeçare.

XS
SM
MD
LG