Lidhje

Departamenti i Shtetit u bën thirrje palëve për vazhdimin e bisedimeve në Maqedoni - 2001-07-20


Udhëheqësit e dy partive kryesore të shqiptarëve të Maqedonisë, nuk morën pjesë në bisedimet e djeshme pasi udhëheqësit e shumicës maqedonase hodhën poshtë një propozim për paqe të mbështetur nga Perëndimi.

Por Departamenti i Shtetit ngul këmbë se bisedimet, që vazhdojnë prej dy javësh, nuk kanë dështuar dhe se ndërmjetësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, vazhdojnë të jenë në kontakt me të gjitha palët, duke u kërkuar të arrijnë një kompromis. Bisedimet u lëkundën të mërkurën kur kryeministri maqedonas, Ljubco Georgievski, kritikoi propozimin e bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se u jepte shqiptarëve të Maqedonisë më shumë autonomi, se kjo donte të thoshte shpërbërje e vendit dhe duke i akuzuar të dërguarit se po u jepnin mbështetje shqiptarëve etnikë të armatosur.

Në një konferencë shtypi për gazetarë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Phillip Reeker, vuri në dukje se ndërmjetësi amerikan, James Pardew dhe homologu i tij i Bashkimit Evropian, Fransua Leotard, janë në Shkup me ftesë të qeverisë maqedonase dhe po përpiqen të lehtësojnë arritjen e një kompromisi. Ai tha se autoritetet maqedonase janë informuar për çdo hap të ndërmarrë nga ndërmjetësit dhe se komuniteti ndërkombëtar nuk është duke u dhënë mbështetje apo duke justifikuar shqiptarët e armatosur të Maqedonisë.

“ Ne nuk mbështesim shqiptarët e armatosur ekstremistë. Ne nuk mbështesim dhunën. Këtë ne e kemi bërë fare të qartë. Ajo që ne mbështesim dhe do të përpiqemi fuqimisht të arrijmë janë institucionet demokratike, tërësia tokësore dhe sovraniteti i Maqedonisë. Dhe kjo pasqyrohet në propozimet e paraqitura nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Këto propozime janë pjesë e bisedimeve.”

Zoti Reeker përmendi një thirrje të presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, drejtuar udhëheqësve të shqiptarëve të Maqedonisë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe përsëritjen nga ana e tij të faktit që nuk ka ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje.

Zëdhënësi tha se mund të ketë vetëm një zgjidhje politike për konfliktin që po shkatërron vendin që nga fillimi i këtij viti dhe shtoi se diplomatët amerikanë janë të mendimit se në analizë të fundit pjesëmarrësit në bisedime do ta pranojnë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG