Lidhje

Bush takohet me Papa Gjon Palin e Dytë - 2001-07-23


Presidenti Bush ndodhet në Romë, ku ai u takua me Papën dhe zhvilloi bisedime me udhëheqësit italianë. Pas debateve për çështjet globale në takimin e nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes, presidenti Bush u takua sot me Papën i cili i foli hapur rreth vendimit për një çështje të rëndësishme në politikën e brendshme amerikane që presidentit i duhet të marrë së shpejti. Njëra prej çështjeve më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara është në se qeveria duhet apo jo të financojë kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë lidhur me qelizat e embrionit njerëzor. Në këtë debat është përfshirë tani edhe Papa Gjon Pali i Dytë.

Papa zhvilloi sot një takim privat me presidentin Bush në rezidencën e tij verore në jug të Romës. Presidenti Bush tha se ata folën fillimisht lidhur me politikën e jashtme. Por kur Papa përshëndeti personat që e shoqëronin presidentin, ai përfitoi nga rasti për t’i dërguar një mesazh më të gjerë popullit amerikan. Ai bëri një lidhje midis abortit, pra vrasjes së qënieve njerëzore të porsakrijuara, shkaktimit të vdekjes nga mjekët për ata të sëmurë që e kërkojnë vetë atë dhe krijimit të embrioneve për studime shkencore. Papa tha se të gjitha këto janë vepra të Djallit.

Presidenti Bush u tha gazetarëve se nuk habitej nga këto ndjenja të fortës të Papës për këto çështje. Ai tha se Papa ka qenë për një kohë të gjatë kampion i kauzës për jetën: “Ky mesazh e ka shoqëruar atë që kur është bërë papë, të cilit nuk i është shmangur asnjëherë. Ai e ka dërguar këtë meshazh të qendrueshëm në mbarë kishën dhe shoqërinë se ne duhet ta marrim parasysh vlerën e jetës” tha zoti Bush. Duke folur në një konferencë shtypi me gazetarë së bashku me kryeministrin italian, Silvio Berliskoni, presidenti Bush tha se ai përballet me një vendim të vështirë. Disa shkencëtarë me autoritet thonë se qelizat embrionale, ato që nuk kanë marrë ende një funksion të posaçëm, mund të jenë tejet të rëndësishme për shërimin e disa sëmundjeve. Por ka shumë njerëz që bashkohen me Kishën Katolike dhe besojnë se shkatërrimi i embrioneve për qëllime shkencore nuk është, veçse një lloj tjetër aborti.

Presidenti tha se do t’i ketë parasysh fjalët e Papës, por shtoi se ai dëshëron të dëgjojë edhe opinione të tjera: “Unë do ta marr këtë çështje shumë seriozisht, sepse është një çështje e cila, nga njëra anë, ka të bëjë me shpresa të mëdha që ndoshta përmes studimeve dhe zhvillimit ne do të jemi në gjendje të shpëtojmë jetë njerëzish; është gjithashtu çështje ndikimesh serioze morale dhe kombi ynë duhet të mendohet me kujdes përpara se ne të marrim një vendimin” tha zoti Bush Presidenti amerikan u pyet gjithashtu lidhur me prespektivat e bisedimeve të reja mbi armët me Rusinë. Washingtoni dhe Moska ranë dje dakort për një qëndrim të ri, i cili ka të bëjë me lidhjen e bisedimeve për pakësimin e armëve bërthamore me diskutimin lidhur me planet amerikane për një sistem mbrojtjeje kundër raketave. Presidenti tha se dëshëronte të veprohej me shpejtësi, megjithëse e bëri të qartë se këtu përfshiheshin çështje të vështira. “I kam thënë presidentit Putin se koha është çmueshme dhe se unë dua që të mirret një vendim herët a vonë. I kam thënë se jam i interesuar që të kem miratimin e tij. Kjo është përparësia ime kryesore”. Presidenti Bush e çeli takimin me gazetarë me lavdërime për ndryshimin e pushtetit në Indonezi. Ai tha se pret me padurim të bashkëpunojë me udhëheqësen e re të vendit, Megawati Sukarnoputri. “Populli i Indonezisë, përmes trajtimit të krizës presidenciale sipas kushtetutës dhe ligjeve të tij, ka treguar se është i angazhuar ndaj shtetit juridik dhe demokracisë” Presidenti Bush i jep fund nesër në mëngjes vizitës së tij në Romë dhe niset për në Kosovë për një vizitë të shkurtër që do t’iu bëjë paqeruajtësve amerikanë përpara se të kthehet për në Washington.

XS
SM
MD
LG