Lidhje

Kalendari historik i datës 22 korrik - 2001-07-23


Më 22 korrik 1934, agjentët federalë qëlluan për vdekje kriminelin John Dillinger para një kinemaje në Çikago. Dillinger ishte “Armiku numër një i Publikut” në listën e Byrosë Federale të Hetimeve për kriminelët më të kërkuar. Gjatë një fushate 13 mujore krimesh ai kishte grabitur banka, kishte kryer 16 vrasje dhe ishte arratisur nga burgu disa herë. Megjithatë, një e dashur e tij në Çikago njoftoi agjentët për vendndodhjen e tij. Ajo u tha agjentëve se, në mënyrë që ta njihnin do të vishej me fustan të kuq kur të shkonte në kinema me John Dillingerin atë mbrëmje. Agjentët rrethuan kinemanë dhe e qëlluan Dillingerin kur ai dhe e dashura e tij, e veshur me të kuqe, dolën nga kinemaja pas përfundimit të filmit.

Më 22 korrik 1933 aviatori amerikan Wiley Post përmbushi fluturimin e parë vetëm rreth botës. Fluturimi në avionin me një motor mbuloi një itinerar prej 25 mijë kilometrash dhe zgjati 7 ditë, 18 orë dhe 45 minuta. Historiani i aero-nautikës Robert van der Linden, thotë se gjatësia e fluturimit të zotit Post nuk ishte e vetmja arritje: “Më e rëndësishmja, të paktën e parë nga këndvështrimi ynë, ishte aftësia e tij për të përdorur aparaturat në avion, veçanërisht, drejtuesin automatik si dhe pajisjen radiofonike për orientim, e cila e ndihmonte shumë në drejtimin e avionit. Pa dyshim, përdorimi i drejtuesit automatik ia lehtësonte së tepërmi punën gjatë fluturimit”. Wiley Post u vra në një aksident ajror në Alaskë në vitin 1935. Në këtë aksident vdiq edhe miku i tij, humoristi amerikan Will Rogers.

XS
SM
MD
LG